Policia ka arrestuar shtetain Eltion Daçi, 37 vjeç, lindur e banues në Burrel, i dyshuari i dy ngjarjeve me lëndë plasëse ne Burrel.


Daçi dyshohet se vuri tritol pranë banesës së kreut të bashkisë Mat dhe dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse në një mobileri.


Ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale Kanosja për shkak të detyrës dhe Prodhim dhe shitje të narkotikëve.


Kapja dhe ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat gjatë ditës së djeshme ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal Arrest me burg , për veprat penale të cituara.


Nga veprimet hetimore të kryera nga Specialistët për hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i ngjarjes së datës 25 tetor 2017 ku është vendosur lëndë plasëse në oborrin e një mobilerie në qytetin e Burrelit, si dhe i ngjarjes së ndodhur në datë 4 nëntor 2017 ku është vendosur lëndë plasëse në shesh pushimin e pallatit në katin e katërt para banesës së kryetarit të bashkisë Mat.


Materialet hetimore do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për hetime të mëtejshme edhe për veprat penale Shkatërrim i pronës me eksploziv, e Mbajtje pa leje të lëndëve plasëse, parashikuar nga nenet 152 e 278/2 të Kodit Penal.


Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të motiveve të këtyre ngjarjeve kriminale.


11 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)