Një shembull i mirë është edhe ai i komunës Margegaj në Tropojë, ku kjo komunë ka ngritur një polici të sajën për ruajtjen e parkut kombëtar të Valbonës.

"Ngritja e policisë komunale u bë e domosdoshme për shkak se gjuetia e paligjshme si në masivin pyjor, ashtu edhe përgjatë lumit të Valbonës vijonte pa u ndalur, madje edhe me mjete shfarosëse", thotë kryetari i komunës Rexh Biberaj.

Sipas tij, masivet pyjore dëmtohen gjatë natës, ndërkohë që trofta e këtij lumi gjuhet me dinamit. Trofta është një nga speciet e veçanta të Valbonës, gjë që ka ngjallur edhe interesin e gjuetarëve jo vetëm vendas, por edhe nga Kosova. Gjuetinë e saj po e ushtrojnë gjithnjë e më tepër edhe turistët e huaj që kalojnë orët e ditës përgjatë ujërave të ftohta.

“Natyrisht për parandalimin e plotë të këtij fenomeni kërkohet dhe bashkëpunimi i komunitetit të zonës që në jo pak raste bëhen kallauzë të gjuetarëve që vijnë nga rrethe të tjera kundrejt një shpërblimi te inspektorëve të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor të rrethit", shprehet kryekomunari.