Një urdhër i ri ekzekutiv, i shpallur nga Presidenti Trump gjatë fjalimit të tij për gjendjen e vendit, anulon një urdhër të vitit 2009 në të cilin presidenti Barack Obama premtoi të mbyllte objektin e paraburgimit në ishullin Guantanamo në Kubë.


Shtëpia e Bardhë e bëri njoftimin pak para fjalimit të martën mbrëma. Presidenti e shpalli vendimin në fjalimin e tij:


“Në të kaluarën, ne kemi lëshuar pa arsye qindra terroristë të rrezikshëm, të cilët janë kthyer përsëri në fushën e betejës, duke përfshirë udhëheqësin e ISIS, al-Baghdadi. Prandaj, sot po mbaj një premtim tjetër. Sapo nënshkrova një urdhër që udhëzon Sekretarin e Mbrojtjes Mattis të rishikojë politikën tonë të paraburgimit ushtarak dhe për të mbajtur hapur objektet e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos,” tha Presidenti.


Ai tha gjithashtu se koalicioni për të mposhtur ISIS-in ka çliruar gati 100 për qind të territorit të mbajtur dikur nga këta vrasës në Irak dhe Siri.


“Por ende ka shumë punë për t’u bërë. Ne do të vazhdojmë luftën tonë derisa ISIS të mposhtet,” nënvizoi ai.


“Terroristët nuk janë thjesht kriminelë, deklaroi Trump.


Ata janë luftëtarë të paligjshëm të armikut. Dhe kur kapen jashtë shtetit, ata duhet të trajtohen si terroristë që janë.”


31 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)/VOA