Presidenti i SHBA, Donald Trump thotë se ai ka udhëzuar agjencitë federale të bashkojnë familjet emigrante të ndara pas kalimit të paligjshëm të kufirit nga Meksika.


“Ne duam t’i bashkojmë ata,” tha zoti Trump gjatë një takimi të kabinetit të enjten, ndërsa zonja e parë, Melania Trump, po vizitonte një qendër paraburgimi për fëmijët emigrantë në MekAlen të Teksasit.


Që nga muaji prill, më shumë se 2,000 fëmijë janë ndaluar duke u ndarë nga prindërit. Zemërimi publik që shkaktuan imazhet e të rinjve të ulur pas telave dhe zëri i fëmijëve duke qarë të transmetuara në të gjithë botën javën e kaluar bënë që Presidenti Trump të nënshkruante një urdhër ekzekutiv për ndalimin e ndarjes së fëmijëve nga të rriturit emigrantë.


Por, mbetet e paqartë sesi zyrtarët do ti trajtojnë çështjet ligjore që lidhen me emigrantët e paligjshëm. Një gazetar i Zërit të Amerikës që ishte në një seancë dëgjimore për emigrantët në Braunsvil të Teksasit të enjten në mëngjes tha se prokurorët kanë hequr akuzat për kundërvajtje kundër 17 emigrantëve. Por Departamenti i Drejtësisë më vonë insistoi se nuk po i heq akuzat ndaj emigrantëve të ndaluar.


Avokatët e Departamentit të Drejtësisë të enjten i kërkuan një gjyqtari federal në Kaliforni të merrte urgjentisht një vendim që do t’u lejonte të ndalonin të miturit bashkë me kujdestarët e tyre ligjorë deri në zgjidhjen e rasteve të imigracionit. Autoritetet mund ti mbajnë familjet në qendrat e paraburgimit vetëm për 20 ditë. Mesatarisht, çdo rast i tillë kërkon 721 ditë për t’u zgjidhur.


David Bier, analist i politikës së emigracionit në Institutin Libertarian Cato tha se kjo tregon edhe më qartë se qëllimi i këtyre ndjekjeve penale është për të ndarë prindërit nga fëmijët dhe jo për zbatimin e ligjit”.


22 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)