Presidenti Trump shkroi në Twitter se kishte folur në telefon me princin e kurorës së Arabisë Saudite, i cili, sipas tij mohoi se ka pasur dijeni për atë që ka ndodhur në konsullatën saudite në Stamboll.


Presidenti Trump tha se gjatë telefonatës, princi i cili ishte me sekretarin Pompeo e kishte njoftuar se kishte nisur një hetim të plotë rreth çështjes Khashoggi, hetim që do të zgjerohej shpejt.


Përgjigjet do të vijnë së shpejti, shkruante Presidenti Trump në Twitter. Më pas ai tha për Fox News se do të ishte keq nëse mbreti Salman ose princi i kurorës do të kishin dijeni për gazetarin e zhdukur Khashoggi. “Varet nëse mbreti ose princi i kurorës do të dinin për këtë, sipas mendimit tim. Së pari çfarë ndodhi, por e rëndësishme nëse ata kishin dijeni ose jo për këtë. Nëse e kanë ditur kjo të ishte keq”, tha Trump.


Komentet vijnë pas bisedimeve që Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo pati në Rijad me mbretin Salman dhe princin e kurorës Mohammed bin Salman, udhëheqësi de fakto i vendit, lidhur me zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili dy javë më parë hyri në konsullatën saudite në Stamboll dhe nuk u pa të dilte prej andej.


17 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)