Donald Trump shënon fitore të thellë në Indiana duke iu afruar shumë pranë emërimit nga Partia Republikane si kandidati i saj zyrtar për president.

Rivali i tij kryesor, senatori nga Teksasi Ted Cruz, në një fjalim të martën në mbrëmje njoftoi se do të largohet nga gara. Gara në Indiana ishte shpresa e vetme e tij për të ndalur hovin e kandidatit Trump.

Në kampin demokrat, sipas shtypit amerikan pritet të ketë fituar Bernie Sanders në një garë të ngushtë me rivalen Hillary Clinton.

Fiotorja e Donald Trumpit pritet të jetë e thellë. Pas garës në Indiana, miliarderi i pasurive të patundshme, që nuk ka mbajtur kurrë më parë një post publik, pritet të marrë edhe 57 delegatë të tjerë, jo të mjaftueshëm për të arritur shifrën 1237, por në rrugën e sigurtë për t'u quajtur kandidati i pritshëm republikan që do të emërohet gjatë kuvendit të partisë në korrik.

"Në se fitojmë në Indiana, gara ka përfunduar," u shpreh Donald Trump para votimeve në shtetin konservator të Indianës, ku fermat bujqësore ndërthurren me qendrat industriale.

Voters cast their ballots in the Indiana primary at Holy Trinity Greek Orthodox Church in Carmel, Indiana, May 3, 2016.
Voters cast their ballots in the Indiana primary at Holy Trinity Greek Orthodox Church in Carmel, Indiana, May 3, 2016.

Për demokratët, Sanders pritet të ketë fituar sipas parashikimeve, por Clinton ka shumë më tepër delegatë dhe për Sanders është matematikisht e pamundur të fitojë numrin e mjaftueshëm për të siguruar emërimin e partisë.

Trump filloi ta zhvendosë gjuhën e tij të ashpër të kritikave nga rivalët republikanë tek kandidatja e pritshme demokrate Hillary Clinton. Gjithnjë e më shumë duket se gara në nëntor do të zhvillohet mes dyshes Trump-Clinton.

Ai e kritikoi ashpër Clinton-in si sekretare shteti duke thënë se ajo ishte në gjumë gjatë sulmit terrorist të vitit 2012 në Benghazi të Libisë ku gjetën vdekjen katër amerikanë, mes të cilëve edhe ambasadori amerikan në Libi.

Trump u tha përkrahësve të tij se ai mund të fitojë ndaj Hillary Clintonit në shtetet ku republikanët zakonisht nuk fitojnë, ndonëse anketat e tanishme nuk tregojnë për një gjë të tillë.