Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar zyrtarët të ftojnë presidentin rus, Vladimir Putin, në Uashington.


Në një postim në Twitter, Sanders tha se Trump ka urdhëruar këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton, ta bëjë ftesën për në vjeshtë.


Lajmi vjen pak ditë pas samitit të parë Trump-Putin që u zhvillua më 16 korrik, në Helsinki të Finlandës, e që shkaktoi zemërim në SHBA për shkak të dështimit të Trumpit për tiu kundërvënë publikisht Putinit, për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.


Ligjvënësit amerikanë dhe zyrtarët e tjerë po ashtu nuk janë informuar ende se për çfarë kanë diskutuar Trump dhe Putin në takimin privat, me vetëm praninë e përkthyesve.


Madje, edhe drejtori i inteligjencës kombëtare i Trumpit, Dan Coats, tha se nuk e di se çfarë ka ndodhur në Helsinki.


Ftesa e planifikuar për në Uashington pritet të shihet si fitore nga Putini, i cili vizitën e fundit zyrtare në SHBA e ka realizuar në korrik të vitit 2007.


Të enjten, edhe Trump, edhe Putin e cilësuan takimin e parë të tyre si sukses, ndërsa fajësuan forcat në SHBA për përpjekje për të minuar arritjet e tyre. Pavarësisht kritikave, Trump tha se e mirëpret edhe një takim të dytë me liderin rus.


Udhëheqësi i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer, e kritikoi menjëherë ftesën e planifikuar.


Derisa nuk dimë se çfarë ka ndodhur në atë takim dyorësh në Helsinki, presidenti nuk duhet të ketë më ndërveprime sy më sy me Putinin, as në Shtetet e Bashkuara, as në Rusi, as gjetkë, tha Schumer.


Vizita e fundit zyrtare e një presidenti rus në Shtetet e Bashkuara është bërë në qershor të vitit 2010 nga Dmitry Medvedev, tani kryeministër i Rusisë.


20 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)