Duke ia faturuar si një dështim administratave të mëparshme amerikane, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpalli sot në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë se Amerika njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe se shumë shpejt do të nisë edhe procedura e zhvendosjes së Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem.


Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Trump u shpreh se ka vlerësuar këtë ndryshim kursi nga ana e tij në të mirë të interesit të SHBA-ve dhe në doni të paqes dhe Izraelit dhe Palestinës.



Pak më herët, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se u kishte nisur këtë të mërkurë një kabllogram të gjitha përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës anembanë botës, ku iu kërkohet zyrtarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Izraelit, Jerusalemit apo Bregut Perëndimor deri më 20 dhjetor.


Lajmi publikohet nga agjencia e lajmeve Reuters, e cila ka mundur të disponojë një kopje të kabllogramit.


Ambasada e Tel Avivit dhe Konsullata e Përgjithshme e Jerusalemit u kërkon vizitorëve që të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Izraelit, Jerusalemit apo Bregut Perëndimor, nga data 4 dhjetor deri më 20 dhjetor 2017, thuhet në kabllogramin e publikuar pak minuta më parë. Në kabllogram, megjithatë, nuk specifikohet arsyeja e kësaj kërkese.


6 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)