Presidenti amerikan, Donald Trump e ka nisur me tone të ashpra samitin 2-ditor të NATO-s në Bruksel, duke kritikuar Gjermaninë për marrëveshjen me vlerë miliarda dollarëve me Rusinë rreth tubacioneve të gazit natyror.


Duke folur në mëngjes, teksa është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Trump theksoi: Ne jemi duke mbrojtur Gjermaninë. Ne jemi duke mbrojtur Francën. Jemi duke mbrojtur secilin. Kjo është e padrejtë ndaj shtetit tonë. Është e padrejtë ndaj taksapaguesve tanë.


Trump ka thënë se Gjermania është e kontrolluar plotësisht nga Rusia, për shkak të varësisë së gazit natyror dhe marrëveshjes për tubacione të gazit me Moskën.


Samiti pritet të jetë një nga mbledhjet më të vështira të aleancës në disa vjet, pasi Trump vazhdon të bëjë presion te aleatët për të rritur shpenzimet në mbrojtje.


Trump ka kritikuar vazhdimisht anëtarët e aleancës për nivelet e tyre të shpenzimeve edhe para nisjes së takimit.


11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)