Presidenti amerikan Donald Trump vijon sulmet ndaj presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri thirrje drejtpërdrejt ushtrisë së Venezuelës që të braktisë mbështetjen e saj për presidentin Nicolas Maduro.


Në një fjalim në Majemi, Trump tha se ata që vazhdojnë ta mbështesin Qeverinë e Maduros, rrezikojnë të ardhmen dhe jetën e tyre. Ai e cilësoi qeverinë e Venezuelës si “diktaturë të dështuar”.


Maduro e dënoi fjalimin e Trumpit dhe tha se ushtria do të përgjigjet me unitet. Maduro refuzon të japë dorëheqje ose të thërrasë zgjedhje të reja, pavarësisht presionit të shtuar ndërkombëtar.


Dhjetëra vende, përfshirë SHBA-në, e kanë njohur udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido si president të përkohshëm të Venezuelës.


Guaido e ka shpallur veten lider të përkohshëm gjatë protestave antiqeveritare në Venezuelë, muajin e kaluar.


Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013, është kritikuar brenda dhe jashtë vendit për ekonominë e dobët në Venezuelë.


Gazeta Shqip