Presidenti i Zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka pranuar për herë të parë se pas hakimit të emaileve të demokratëve fshihet Rusia.


Gjatë konferencës së parë për mediat që prej fitores, republikani tha se nuk ka asnjë marrëveshje apo borxh me Rusinë, duke hedhur poshtë zërat se marrëdhëniet mes tij dhe Rusisë kanë qëllime përfitimi për bizneset e tij.


Trump: Besoj se ishte Rusia, por gjithashtu mendoj se ne hakimi edhe nga vende e njerëz të tjerë. Putin nuk duhej të hakonte vendin tonë dhe besoj se nuk do ta bëjë më gjatë presidencës time. Duhet të them gjithashtu se Komiteti Kombëtar i Demokratëve ishte totalisht i pambrojtur. Ata kanë tentuar të hakojnë edhe republikanët, por nuk ja kanë arritur qëllimit pasi ne i kishim marrë të gjitha masat.


Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve se Rusia ka materiale komprometuese ndaj tij, duke u shprehur se Moska nuk ka tentuar kurrë ta shantazhojë.


Presidenti i Rusisë Putin dhe Rusia kanë deklaruar se këto lajme ishin false dhe i respektoj për këtë-tha Trump- duke shtuar se me Moskën nuk ka asnjë marrëveshje, pakt që mund të ndodhë në të ardhmen apo borxhe ndaj saj. Republikani gjithashtu tha se fakti që Putin e simpatizon atë duhet trajtuar si aset dhe jo si dobësi.


Presidenti i zgjedhur ka dënuar agjencitë e inteligjencës amerikane për lejimin e qarkullimit të lajmeve false, dhe mediat gjithashtu për publikimin e tyre, duke ngritur pyetjen: Po jetojmë në Gjermaninë naziste?


Implikimi i Rusisë në zgjedhjet amerikane me qëllim influencimin e fitores së Trump është hedhur poshtë sistematikisht nga Kremlini. Deklarata e fundit është bërë nga zëdhënësi Dimitri Peskov i cili i quajti gjueti shtrigash të SHBA.


Një ndër premtimet e tij elektorale, ndërtimi i murit me Meksikës ka marrë sërish vëmendje në këtë konferencë të republikanit. Trump ka përsëritur se muri do të ndërtohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksika do të paguajë koston e tij.


I pyetur nëse beson në agjencitë e inteligjencës Amerikën, president i zgjedhur tha se ato janë  jetike dhe shumë interesante për vendin. Ai tha e do të ngrejë struktura të reja për të drejtuar agjencitë dhe brenda 90 ditëve ato do të paraqesin një plan publik për mbrojtjen ndaj hakimit.


/Ora News/


 


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter