Presidenti Donald Trump ka shkarkuar sekretarin e Shtetit Rex Tillerson. Mediat e huaja raportojnë se në vend të tij Trump ka emëruar shefin e CIA-s, Mike Pompeo.


Në një postim në Twitter shefi i Shtëpisë së Bardhë ka falenderuar Tillerson, por ka theksuar se sekretari i ri do të bëjë një punë fantastike.


Tillerson u emërua në këtë post pak më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, presidenti Trump emëroi Gina Haspel  si drejtorja e parë grua e CIA-s.


Trump nxitoi ta bënte i pari publik këtë lajm, ndërsa vetëm disa çaste më vonë është publikuar letra e presidentit nga Shtëpia e Bardhë.


Jam krenar të nominoj drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, Mike Pompeo, në postin e Sekretarit tonë të Shtetit. Mike ka shërbyer me devotshmëri në ushtrinë amerikane, ka mbaruar studimet e larta me nderime në Harvard dhe shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve me një rekord të provuar të punës së tij. Si drejtor i CIA-s, Mike ka marrë lavdërime nga anëtarë të të dyja partive, duke forcuar grumbullimin e të dhënave të shërbimeve sekrete, duke modernizuar aftësitë tona mbrojtëse dhe sulmuese, e duke ndërtuar lidhje të afërta me miqtë e aleatët tanë në komunitetin ndërkombëtar të shërbimeve sekrete.


Eksperienca e tij në ushtri, Kongres dhe si kreu i CIA-s e ka trajnuar mjaftueshëm mirë për të marrë rolin e tij të ri, e kërkoj konfirmimin e tij të shpejtë, shkruan Trump.


13 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)