Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka sulmuar Kinën për politikat e saj monetare dhe veprimtarinë në Detin e Kinës Jugore. Vetëm javën e kaluar, Trump rrezikoi marrëdhëniet diplomatike mes vendeve, për shkak të telefonatës së tij me presidenten e Taivanit, një lëvizje e paprecedent për një lider amerikan. Shtëpia e Bardhë ka siguruar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndryshuar qëndrim ndaj politikës së “një Kine”, ndërkohë që Trump kërcënon të marrë masa ekstreme kundrejt gjigandit aziatik.


Presidenti i zgjedhur Donald Trump, përmes Twitter-it, ka kritikuar Kinën për politikat e saj monetare dhe veprimtarinë e saj në Detin se Kinës Jugore. “A na pyeti ne Kina nëse mund të zhvlerësonte monedhën e saj” dhe “të ndërtonte një kompleks masiv ushtarak?”, pyet Trump, duke u përgjigjur se ai vetë nuk mendon kështu.


Javën e kaluar, presidenti i zgjedhur rrezikoi të krijonte një përçarje diplomatike me Kinën, duke komunikuar drejtpërsëdrejti me presidenten e Taivanit. Lëvizja e pazakontë bëri që Kina të paraqesë një ankesë tek autoritetet amerikane.


Edhe më parë, Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar zhvlerësimin e monedhës kineze, duke thënë se kjo favorizon në mënyrë jo të drejtë eksportuesit kinezë. SHBA ka një taksë kundrejt disa importeve kineze, si çeliku dhe goma dhe Trump ka kërcënuar ta rrisë atë në 45%.


Më tej, Uashingtoni i ka kërkuar Pekinit të ndalojë marrjen e tokave në ishujt e Detit të Kinës Jugore, të cilat pretendohen nga një sërë vendesh. Për shkak se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar anije nga flota e tyre në zonë, të dy palët kanë kritikuar njëra-tjetrën se kanë “militarizuar” rajonin. Por, Kina thotë se përpjekjet për marrjen e këtyre tokave bëhen për qëllime civile.


Biseda telefonike e Trump me presidenten Tsai Ing-Wen, mendohet të jetë e para herë që një lider amerikan flet me një lider taivanez, që prej 1979, viti kur marrëdhëniet diplomatike u ndërprenë zyrtarisht. Shtëpia e Bardhë tha se telefonata nuk sinjalizon një ndryshim në qëndrimin politik disa-vjeçar të “Kinës së vetme”, e cila e konsideron Taivanin si pjesë të Kinës. Në rast se ishulli shpall zyrtarisht pavarësinë, Kina ka kërcënuar të përdorë forcën.


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter