Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka nënshkruar një urdhër për zgjatjen e sanksioneve edhe për një vit ndaj Koresë së Veriut. Ai përmendi kërcënimin e jashtëzakonshëm që paraqesin armët bërthamore të Koresë së Veriut.


Veprimet dhe politikat e Qeverisë në Korenë e Veriut vazhdojnë të paraqesin kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare, politikën e jashtme dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Trump.


Pentagoni po ashtu ka njoftuar se do të pezullojë ushtrimet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke përmbushur kështu premtimin që Trump i ka dhënë Kimit gjatë takimit të tyre në Singapor.


Presidenti Trump u takua me liderin verikorean Kim Jong Un në Singapor më 12 qershor, në një samit që u konsiderua historik dhe që kishte për qëllim uljen e tensioneve në Gadishullin Korean.


23 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)