Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se viti 2015 ka qenë shumë i suksesshëm për Trustin Pensional, dhe rrjedhimisht për kontribuuesit në këtë fond. Këtë vlerësim ai e bëri gjatë një vizite në këtë institucion, ku u njoftua se nga investimet që ka bërë në instrumente të ndryshme financiarë, Trusti Pensional vitin 2015 e ka përmbyllur me 30 milionë euro përfitime për kontribuuesit në këtë fond, ndërsa gjatë këtyre katër muajve të sivjetshëm ka përfituar 18 milionë euro.

"Që nga fillimi i investimit të mjeteve, Trusti ka përfituar 250 milionë euro që janë shpërndarë për kontribuuesit", ka theksuar Hoti. Ai ka thënë se kjo ishte si rezultat i investimeve të mjeteve në instrumente fitimprurëse, por edhe të sigurta.

"Ky trust me shumë kujdes po mbikëqyrë mjetet e kursyera në llogaritë e 508 mijë kontribuuesve, prej të cilëve 297 mijë kontribuues kanë llogari aktive dhe kontribuojnë në baza të rregullta mujore. Numri i kontribuuesve aktivë gjatë vitit 2015 është shtuar për 12 mijë kontribuues, që reflekton rritjen e punësimit.

Sipas të dhënave të Trustit Pensional, gjatë vitit 2015 janë pensionuar 4,500 persona, të cilët tani marrin pensionet e tyre përmes Trustit. Deri më tani, Trusti ka shpërndarë 73 milionë euro për 30 mijë persona që janë pensionuar që nga fillimi i punës së Trustit", theksoi Hoti.

Ministri i Financave tha se Trusti Pensional është partner i rëndësishëm i qeverisë në avancimin e agjendës sociale dhe në blerjen e letrave me vlerë që emeton qeveria.

Ai theksoi se momentalisht Trusti ka të investuara 96 milionë euro në letra me vlerë të qeverisë dhe është pjesëmarrës aktiv në të gjitha ankandet e letrave me vlerë që organizon Qeveria përmes Bankës Qendrore.