Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka reaguar ndaj qëndrimit të sindikatës së artistëve dhe artistëve të Teatrit Kombëtar që kundërshtojnë zhvendosjen e Teatrit Kombëtar tek ambientet e reja që po bëhen tek “Turbina”, si dhe për Projektligjin për Artin dhe Kulturën. Kumbaro është shprehur se së shpejti do të organizojë një takim me artistët për ti njohur më së miri me situatën.


Patjetër që do t’i takoj artistët. Ne jemi duke ndërmarrë një nismë ligjore që vjen si pasojë e kërkesave jo vetëm të artistëve por edhe të institucioneve kulturore, qendrore por edhe vendore siç është teatri i Korçës, për të krijuar mekanizma për organizimin e projekteve kulturore të cilat sot edhe për gjëra të vogla siç janë rekuizitat apo veshjet duhet të kalojnë në disa procedura burokratike të prokurimit, të cilat përpos të tjerash krijojnë edhe pengesë për krijimtarinë artistike.


Ligji aktual për artin dhe kulturën që është ai i vitit 2010 ka krijuar një mekanizëm lehtësimi për projektet kulturore që përjashton nga prokurimi nëpërmjet formulës së kolegjiumeve vetëm për Ministrinë e Kulturës. Ne gjykojmë që ky mekanizëm duhet të përhapet edhe tek institucione të tjera me qëllim decentralizimin dhe nxitjen e financuesve të tjerë për mbështetjen e aktiviteteve kulturore, tha Kumbaro. Sipas saj, projektligji është nxjerrë për konsultim publik.


E kemi nxjerrë në faqen e Ministrisë së Kulturës, e kemi dërguar me email tek të gjithë aktorët dhe grupet e interesit. Sot ka bashki që i djegin fondet për kulturën sepse nuk dinë si të procedojnë me këto labirinthe burokratike. I kemi ftuar të gjithë që të japin sugjerimet e tyre në lidhje me draftin që kemi propozuar dhe kjo është faza e konsultimit. Dua të theksoj se përveç disave të cilet e kanë lexuar ende nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga drejtuesit vendorë apo subjekte të tjerë të interesuar. Nga mediat jam njohur me disa organizime të artistëve por besoj se mbasi të takohemi do sqarohemi të gjithë. Kemi parashikuar javën që vjen një tryezë për këtë draft dhe nëse ka kërkesa për tryeza të tjera jemi të gatshëm për ti diskutuar dhe shpjeguar draftin i cili nuk është lexuar dhe ka keqkuptime. Duhet t’i takoj artistët pasi para se të kuptojmë çfarë kërkojnë, duhet të kuptojnë ata cfarë ofron drafti, tha Kumbaro. Ndërkohë sindikata e artistëve vijojnë ta kundërshtojnë këtë projektligj, si dhe zhvendosjen e Teatrit Kombëtar tek Turbina.


Sabina Kodra, producente shprehet se është halucinative, të thuash se ke nisur në 500 adresa këtë projektligj për Artin dhe Kulturën, ndërkohë që askush nuk ka marrë njoftim. Janë 7 shoqata të kineastëve dhe asnjëra prei tyre nuk ka marrë asnjë njoftim. Kujt ia kane nisur për mendim ndonjë alieni apo marsiani???


Surreale të deklarosh se projektligji kërkon të lehtësojë procedurat e prokurimit, ndërkohë që centralizon çdo institucion të artit dhe kulturës. Përse kërkohet të përfshihet Qendra e Kombëtare e Kinematografisë në ligjin për Artin dhe Kulturën ndërkohë që ka një ligj i cili ka 20 vjet që funksionon?


Cilat janë këto procedura lehtësuese që parashikon ky ligj të cilat nuk i parashikon ligji për kinematografinë? Por një e vërtet tjetër e madhe lexohet e zeza mbi të bardhën, ministria emëron çdo titullar institucioni, emëron bordet, miraton rregulloren e funksionimit të tyre, me pak fjalë as gjinkallat nuk do të këndojnë pa firmën e Ministres së Kulturës.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)