Vijon turi i dëgjesave për buxhetin në Njësinë 5, Veliaj: Vendimi për të ndaluar llotot dhe kazinotë meriton bekimin tonë; Transformuam Njësinë 5, Tirana qyteti më i sigurtë


Tre vite më parë as mund të mendohej që jo vetëm Njësia 5, por edhe e gjithë Tirana, të kishte një Park Olimpik modern, që arrin të presë edhe kompeticione ndërkombëtare të garave sportive. Pikërisht, nga ambientet e Pallatit të Sportit të Lojërave me dorë, Feti Borova, si simbol i transformimit dhe modernizimit që po pëson Tirana, Bashkia e Tiranës vijoi turin e dëgjesave me banorët e Njësisë 5 për Buxhetin e vitit 2019, si dhe për të bërë një përmbledhje të punëve që janë bërë në këto tre vite.


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se tashmë pas tre vitesh çdo qytetar që votoi ndryshimin duhet të ndihet mirë për gjitha rezultatet e arritura, më së shumti në këtë njësi, duke filluar nga projektet e mëdha siç është ai i Parkut Olipmik, Parkut të Liqenit Artificial, Këndi i Lojërave, Amfiteatrit të Liqenit, por edhe për të gjitha punët që janë bërë në nivel lagje.


Mbaj mend ditën e parë kur filluam punë tek liqeni, ishte i gjithë një kompleks i madh ku digjej plastikë. Sot, ne zhvillojmë Maratonën e Tiranës aty dhe shumica e njerëzve as nuk e dinin që Liqeni ishte dy herë më i madh. Ja ku jemi sot! Një votë për PS dhe një mobilizim total i stafit, Bashkisë, njësisë, administratorëve, deputetit, kryetares së partisë, i gjithë njerëzve në komunitet solli këtë ndryshim. E paskemi vetë në dorë, nuk qenka kaq e vështirë! Unë besoj se siç kemi pasur në dorë për të sjellë këtë ndryshim në këtë territor, duam të vijojmë tani jo vetëm në pjesët ikonë të Njësisë 5, por edhe në nivel kapilar, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.


Ai vuri në dukje punën kolosale që është bërë në Njësinë 5, duke nisur nga projektet më transformuese që prekin Njësinë 5, e deri tek projektet e së ardhmes. Veliaj dha lajmin e mirë se vitin e ardhshëm Bashkia e Tiranës do të nisë ndërtimin e Kopshtit të Ri Zoologjik dhe atij Botanik, i cili do ta kthejë këtë zonë në një nga hapësirat më të frekuentuara për familjet e kryeqytetit. Për të gjithë ata që janë të shqetësuar, nuk bëhet fjalë për Kopshtin Zoologjik që kemi lënë pas, bëhet fjalë për një hapësirë ku, në fakt, kafshët janë të lira dhe njerëzit janë ata që e përjetojnë në një labirint të rrethuar. Do bashkojmë Kopshtin Botanik me Zoologjik dhe po përdorim atë që sot është mënyra më e mirë dhe më humane e trajtimit të kafshëve, ku janë njerëzit ata që janë të kufizuar dhe kafshët janë të lira në hapësirat e tyre në Kopshtin Zoologjik. Kemi rehabilituar një pjesë të madhe të bregut. Do të vendosim shumë shpejt një stacion kanotazhi për ata që do të duan të dalin me varkë dhe besoj se kemi ngritur etalonin e çfarë do të thotë hapësirë dinjitoze, publike në kryeqytetin e shqiptarëve, tha Veliaj.


 


 


 


Ai u ndal edhe te vendimi i qeverisë për ti dhënë Bashkisë së Tiranës 2.5 hektarë sipërfaqe që sot i përket Gardës së Republikës, duke theksuar se ajo do ti shtohet Parkut të Liqenit Artificial, si një sipërfaqe e gjelbëruar dhe rekreative. Jam shumë i lumtur që në dallim nga plani i Bashkisë dhe i qeverisë së vjetër, ku aty parashikonin ndërtime, sot Bashkia e Tiranës, falë vendimit të qeverisë, ka marrë 2.5 hektarë për ti rehabilituar dhe për tia shtuar liqenit, për të pasur një hyrje shumë më dinjitoze. I durova një herë, dy herë, tre herë, por dje nuk mu durua kështu që, u desh të reagoja sepse e pashë që gjithë dhëndurët dhe kunetërit e atyre që ranë nga vakti, ishin shumë të shqetësuar se çfarë po ndodh me Gardën. Shumë e thjeshtë: Garda do ti kthehet qytetarëve. Më vjen keq që u anuluan ndërtimet e tyre, por ishin të paligjshme, ishin në territor të Gardës dhe qeveria dhe bashkia që punonte vetëm për një familje, për një palë dhëndurësh dhe për një palë kunetërish, me vote, u largua nga Bashkia e Tiranës, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.


 


Gjithashtu, Veliaj dha lajmin e shumë pritur për shumë nxënës dhe prindër të Njësisë 5 për ndërtimin e një shkolle të re në afërsi të Parkut Olimpik. Shumë shpejt, një nga shkollat e reja që do bëhet në këtë njësi, për të amortizuar fluksin e madh që kemi me nxënës, do të jetë pas Parkut Olimpik, tha ai. Kryetari i Bashkisë i bëri thirrje banorëve që jetojnë në zonat periferike të Njësisë 5 dhe në zonat e ish-komunës Farkë që të regjistrohen në Lagjen e re Nr. 13.


Kryetari i Bashkisë së Tiranës mbështeti vendimin e qeverisë për të ndalur llotot dhe kazinotë, si një vendim që shkon për të gjithë familjet shqiptare, përfshi edhe ato të Tiranës. Një nga vendimet më të mira që ka marrë qeveria jonë është vendimi që në datën 1 janar të mos ketë më pika bastesh dhe bingosh e kazinosh në Shqipëri. Një mënyrë e shkëlqyer jo vetëm për të hequr këto fonde nga duart e kriminelëve, por edhe për tu thënë disa burrave në Shqipëri: Ej, kthehuni në shtëpi, tek gratë e fëmijët tuaj, kaloni kohë me familjen tuaj! Më shumë se kurrë, sot qeveria jonë ka nevojë për një mbështetje popullore, masive, përtej bindjeve tona dhe partisë sonë. Kjo është një fushatë dhe kjo është një nismë që shkon përtej PS. Ky vendim i PS është vendimi më i mirë dhe meriton të gjithë bekimin dhe mbështetjen tonë, u shpreh Veliaj.


Ai përshëndeti edhe aksionin më të fundit të Policisë Shtetit për goditjen e grupeve kriminale në vend. Aksioni i fundjavës i Policisë së Shtetit meriton duartrokitjen dhe falenderimin tonë. Djem e vajza të përkushtuar në Policinë e Shtetit, kanë kryer një operacion për të sjellë nën kontroll ata që ndoshta konsideroheshin të paprekshëm, ata të fortët që ndoshta nuk guxonte ti ndalonte njeri. Mesazhi që u dha këtë fundjavë është se nuk ka të paprekshëm, as në Tiranë, as në Sarandë, as në Shkodër, ndaj meriton gjithë inkurajimin tonë, u shpreh Veliaj. Ai theksoi se falë punës së policisë dhe gjitha organeve të tjera ligjzbatuese, por edhe të strukturave të pushtetit vendor edhe Tirana është sot një nga qytetet më të sigurta në Europë.


Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Njësisë 5, Veliaj renditi një sërë investimesh të rëndësishme që ka njohur kjo njësi në infrastrukturë, sikur janë: rikonstruksion i infrastrukturës rrugore të bllokut të kufizuar nga Rr. “Mentor Xhemali”, Rr. “Hajdar Tafa”, Rr. “Qemal Butka” dhe Rr. “Frang Bardhi” në Selitë, rikonsturksioni i urës në rrugën Irfan Tomini, rehabilitim i urës së këmbësorëve mbi Lanë tek ish-ekspozita. Ndërkohë për të lehtësuar qarkullimin dhe lidhjen me pjesën tjetër të Tiranës, mbi lumin Lanma do të ndërtohen edhe dy ura të tjera. Ndërkohë, Bashkia ka rikonstruktuar rrugën e Kosovarëve,  “Rrugën e Zallit” në Selitë, rikonstruktuar bllokun e pallateve Selitë që prek zonën ndërmjet rrugëve Ilia Dilo Sheperi; Nko Hoxha,Valentina Pistoli; Leka i Madh; Hamdi Pepa; Vangjel Koça. Është ndërhyrë edhe në bllokun që kufizohet nga rrugët: Sulejman Delvina, Medar Shtylla, Skender Luarasi, Grigor Heba; Gjik Kuqali (Zona nga ish Shushica te Komuna Parisit) si dhe rikualifikimi urban i bllokut të kufizuar  nga Rr.”Ibrahim Rugova”,  Rr.”Pjetër Bogdani”,  Rr. “Gjin Bue Shpata”, BLV “Bajram Curri” si dhe është kryer asfaltimi i 164 rrugëve të Njësinë 5.


Një punë e madhe është bërë edhe për rikonstruksionin në 5 kopshte, 2 çerdhe, 3 shkolla si dhe është ndërtuar edhe një çerdhe e re. Në kuadër të projektit, Luaj Tirana, janë nën dispozicion të banorëve të kësaj Njësie 5 sheshe çlodhëse, të pajisura edhe me kënde lojërash, si dhe disa të tjerë janë në ndërtim e sipër.


Deputeti i PS në Njësinë 5, Pandeli Majko vlerësoi punën e realizuar në këto tre vite nga Bashkia e Tiranës, një ndryshim që më parë as nuk mund të mendohej dhe sot është i prekshëm nga të gjithë qytetarët. Majko nënvizoi se sot në Njësinë 5 diskutohet jo thjesht për ndryshim, por është duke u ndërtuar një model, i cili ngjall shpresë se gjërat do bëhen më mirë edhe te zonat e tjera.


23 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)