Të dhënat u përhapën nga Euromonitor gjatë World Travel Market, në Londër. Bangkoku dhe Londra në podium. Në top 100 edhe Milano, Venecia, Firence dhe Roma. Roma në vend të 12, Milano në vend të 27, Venecia në vend të 38, Firence në vend të 44: janë katër qytete italiane, të gjitha në rritje në klasifikimin e 100 qyteteve më të vizituara në botë, në vitin 2016 të paraqitur nga Euromonitor në World Travel Market (WTM), të Londrës.


Në klasifikimin e këtij viti po udhëheq qyteti aziatik Hong Kong, me 26.5 milionë vizitorë, i ndjekur më pas nga Bangkoku dhe Londra. Megjithëse asnjë qytet italian nuk renditet në 10 vendet e para dhe Roma merr më pak se gjysmën e numrit të vizitorëve ndërkombëtarë, Italia është vendi europian me numrin më të madh të qyteteve në renditje.


Qytete të tjera në 10 vendet e para janë: Singapori (4), Macau (5), Dubai (6), Parisi (7), New York (8), Shenzhen (9), Kuala Lumpur (10). Londra është qyteti europian më i frekuentuar nga turistët e huaj me 19.8 milionë vizitorë dhe është i vetmi qytet anglez në klasifikim. Turistët në qytetet spanjolle (Barcelona 23 dhe Madrid 39) arrijnë pak më shumë se 12 milionë. Ndërkohë që qytetet franceze në renditje (Paris dhe Nice 93) tërheqin 16 milionë vizitorë ndërkombëtarë duke shënuar rënie.


“Sulmet terroriste në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, veçanërisht në Tunizi dhe Egjipt, por edhe në qytetet europiane si Paris dhe Barcelonë ka thënë Wouter Geerts, analist i udhëtimeve në Euromonitor International – kanë favorizuar rritjen e numrit të vizitorëve në destinacione të tilla, si Greqia dhe Italia.


19 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)