Pas ndërprerjes së derbit të Stambolit, mes Fenerbahces dhe Besiktasit, për shkak të goditjes në kokë të trajnerit të këtyre të fundit, Senol Gunes, ka ardhur edhe vendimi i Federatës Turke në lidhje me ndeshjen.


Kështu është vendosur që sfida e dytë gjysmëfinale të vijojë të luhet më datë 3 Maj, duke filluar nga minuta ku u ndërpre dhe deri në fund.


Gjithashtu u vendos që Besiktasi të vijojë lojën me 10 lojtarë, pasi Pepe ishte ndëshkuar me karton të kuq, ndërsa nuk do të ketë tifozë të pranishëm në shkallët e stadiumit.


Kujtojmë që kjo ndeshje ishte e vlefshme për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Turqisë, pasi takimi i parë kishte përfunduar në barazim 2-2, ndërsa më 3 Maj pritet të përcaktohet edhe skuadra që do të vijojë në finale.


26 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)