Pastori amerikan, Andrew Brunson, i cili konsiderohet qendra e konfliktit në mes të Ankarasë dhe Uashingtonit, ka arritur në gjykatën e Turqisë për rifillim të gjykimit, pas akuzave të lidhura me terrorizëm.


Vëzhguesit janë duke pritur nëse ai do të lirohet meqë Shtetet e Bashkuar kanë kërcënuar me sanksione shtesë të rast të mbajtjes së Brunsonit në Turqi. Seanca e katërt në rastin kundër pastorit amerikan mbahet të premten në qytetin Izmir.


Brunson, 50 vjeçar, mund të dënohet me 35 vjet burgim nëse shpallet fajtor për terrorizëm dhe spiunazh.


Prokurorët e akuzojnë atë për kryerje të krimeve në emër të grupeve terroriste. Ata supozojnë se Brunson është i lidhur me grupin e militantëve kurdë që udhëhiqet nga kleriku turk që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e akuzon për orkestrim të tentimeve të dështuara për puç më 2016.


Brunson që ka jetuar në Turqi më shumë se dy dekada i mohon të gjitha akuzat.


Uashingtoni deklaron se ai është duke u mbajtur padrejtësisht nga autoritetet turke, në kuadër të arrestimeve dhe masave qeveritare pas puçit të dështuar.


Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert u ka thënë gazetarëve më 11 tetor se Uashingtoni shpreson që ai të lirohet shumë shpejt.


Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dy zyrtarë turq dhe kanë dyfishuar tarifat në importet turke të çelikut dhe aluminit.


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka sfiduar kërkesat e SHBA-së për lirim të Brunsonit.


Megjithatë ai më herët ka përmendur ndonjë shkëmbim të mundshëm të Gulenit me Brunsonin.


12 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)