Turqia dhe Greqia kanë shkëmbyer kritika ndaj njëra-tjetrës për shkak të përpjekjeve të Qipros për të shfrytëzuar burimet e hidrokarbureve rreth brigjeve të saj në Mesdheun lindor.
Gjatë një konference për shtyp në Ankara, Ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizellos, fajësoi Turqinë për ndërprerjen e bisedimeve për paqen.
“Fatkeqësisht bisedimet kanë ngecur sepse sovraniteti i Qipros është dhunuar. Vendi ynë e ka për detyrë që të përpiqet të rifillojë bisedimet për paqen, por këto përpjekje nuk duhet të cënojnë sovranitetin e Republikës së Qipros”, tha Venizellos.
Por Ministri i jashtëm turk, Mevlut Çaushollu, iu përgjigj duke kritikuar përpjekjet e përbashkëta të Greqisë dhe Qipros për të nxjerrjen e gazit.
“Nuk më duket shenjë e vullnetit të mirë kur pala tjetër kryen kërkime në det pa marrë parasysh të drejtat e qipriotëve turq, ndërkohë që vazhdon procesi i paqes. Nëse duam zgjidhje, duhet të përfshijmë të gjitha problemet në diskutime”, u shpreh Ministri turk.
Pala greke i ndërpreu muajin e kaluar bisedimet për paqen, në shenjë proteste ndaj përpjekjeve të Turqisë për të penguar kërkimet për gaz në ishullin e ndarë etnikisht.
Qipro pretendoi se një anije kërkimore turke ishte parë në brigjet e saj jugore dhe se po merrte masa që ta ndalonte, duke rritur rrezikun e rikthimit të konfliktit.
Venizellos theksoi se Greqia do të bëjë çmos për të mbrojtur të drejtat e Qipros dhe kërkoi që t’i jepej fund dhunimit të integritetit territorial të saj.
Por Turqia, që mbështet qeverinë e Qipros së Veriut, ku jeton popullsi turke, nuk e njeh autoritetin e Nikosias në zonën ku po kryen kërkimet.
Çaushollu pranoi se Qipro Veriore i kishte kërkuar Turqisë që të garantonte sovranitetin e saj dhe për këtë , Turqia kishte dërguar atje anijen kërkimore me merin “Hajrdin Pasha Mjekërkuqi”, që mban emrin e një prej kapitenëve detarë më të shquar të periudhës së Perandorisë Osmane.
Kërkimet për gaz dhe burime të tjera energjitike në det janë bërë jetike për Qipron që po vuan nga kriza financiare pothuajse njëlloj si Greqia. Qeveria e Nikosias madje ka bërë të ditur që, nëse arrihet marrëveshja e paqes, pasuritë hidrokarbure do të ndahen edhe me qipriotët turq.
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter