27-05-2011 / Nga Ibrahim Kalin

Derisa Pranvera arabe është duke hyrë në muajin e katërt, para saj paraqiten si sfida, ashtu edhe mundësi. Me gjithë zmbrapsjet në Libi, Jemen dhe Siri, vala e demokracisë tashmë ka filluar të ndryshojë peizazhin politik të Lindjes së Mesme. Marrëveshja e pajtimit në Palestinë midis “Fatahut” dhe “Hamasit”, e nënshkruar në Egjipt, më 3 maj, është një nga arritjet e mëdha të kësaj vale ndryshimesh. Edhe zhvillime të tjera substanciale pritet që të ndodhin dhe Turqia do të përfitojë prej tyre. Në të vërtetë, Pranvera arabe përforcon pozitën e Turqisë në botën arabe dhe mbron interesin strategjik të politikës së jashtme turke.
Politika turke e forcimit të lidhjeve me qeveritë dhe grupet e ndryshme politike në botën arabe e ka transformuar politikën e Lindjes së Mesme.  Zyrtarët turq kanë deklaruar në raste të shumta se ndryshimi në botën arabe është i pashmangshëm dhe duhet të reflektojë kërkesat legjitime popullore për drejtësi, liri dhe prosperitet. Për më tepër, ndryshimet duhet të ndodhin pa dhunë, duke siguruar një tranzicion të qetë drejt një demokracie pluraliste. Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, u mundua që ta arrijë këtë gjë në Libi para se të shpërthenin luftimet në këtë shtet. Diplomacia e qetë e Erdoganit synonte që të siguronte një tranzicion paqësor drejt një periudhe pas-Gaddafit. Kjo qasje gradualisht të kompleton qëndrimin parimor të Turqisë për domosdonë e reformave në botën arabe, përfshirë Sirinë, me të cilën Turqia ndan një kufi 900 kilometra. Gjatë dhjetëvjetëshit të kaluar, Turqia ka zhvilluar raporte të shumëllojshme me shtetet e Lindjes së Mesme, duke synuar përmirësimin e marrëdhënieve si me qeveritë, ashtu edhe publikun. Në të vërtetë, Turqia mbase është shteti i vetëm që ka qenë në gjendje të promovojë raportet në të dyja nivelet, në botën arabe.
Kjo politikë e angazhimit është shpaguar në disa mënyra, duke e ngritur pozitën e Turqisë në rajon. Intelektualët arabë, aktivistët dhe liderët e rinisë të prirjeve të ndryshme politike kanë shfaqur interesim në atë që disa e cilësojnë “Modeli turk”. Demokracia stabile e Turqisë, ekonomia në rritje dhe politika e jashtme proaktive janë duke u parë me sy të mirë nga të gjithë, pasi që Turqia e ka dëshmuar rëndësinë e “fuqisë së butë” në rajon.
Një gjë e tillë pasqyrohet në debatin e zëshëm në botën arabe rreth asaj se si Turqia ka qenë në gjendje ta gërshetojë islamin, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik. Ai debat, në rend të parë, ka të bëjë me atë se si shtetet arabe duhet të ristrukturohen në shekullin XXI. Hendeku në rritje midis qeverive dhe popullit në botën arabe është shndërruar në një deficit të paqëndrueshëm – një pikë kjo që ka ngritur interesimin për përvojat turke.
Derisa Pranvera arabe po shpaloset me shpejtësi të ndryshme nëpër shtete të ndryshme, Turqia po vazhdon t’u bëjë thirrje qeverive arabe që të ndërmarrin reforma të vërteta. Arabët meritojnë lirinë, sigurinë dhe prosperitetin, ashtu si edhe të gjithë popujt e tjerë, derisa Turqia do të përfitojë nga një botë demokratike dhe pluraliste arabe.
Periudha e demokracisë mëton t’i japë botës arabe mundësi që të jetë e zonja e vetes. Ajo po ashtu u mundëson arabëve që të zhvillojnë një paradigmë të re për raportet me Perëndimin, bazuar në barazi dhe partneritet – një qëndrim ky, simbol për të cilin është Turqia.
Në fund, politika e Turqisë e angazhimit të protagonistëve të ndryshëm në Lindjen e Mesme – e kritikuar nga disa si kundërthënëse, ekstreme e madje edhe terroriste – ka luajtur rol të madh të futjen e të paktën disa prej këtyre forcave në politikë. Duke i pasur parasysh realitetet e reja politike në Egjipt, Tunizi dhe territore palestineze, ashtu si edhe në Liban, Libi e gjetkë, protagonistët më të rëndësishëm nuk janë më organizata sekrete apo ilegale.
Thënë troç, “Vëllazëria Myslimane” e Egjiptit, lëvizja “Nahda” në Tunizi dhe “Hamas” në Palestinë do të luajnë role të rëndësishme dhe legjitime në të ardhmen politike të shteteve të tyre. Kjo do të thotë se amerikanët dhe evropianët do të duhet të kenë punë publikisht me këto grupe, ashtu si ka bërë Turqia. Mbi të gjitha, ato tani janë pjesë e rendit të ri politik në botën arabe. Një botë demokratike arabe do ta bëjë më të fortë pozitën e Turqisë në rajon, e jo më të dobët.

Autori është këshilltar i lartë i kryeministrit të Turqisë. Shkrimi është botuar së pari në portalin “projectsindycate.com”

...