Turqia ka hequr vizat për shtetasit kosovarë. Këtë e bëri të ditur dje ministri i Jashtëm i Turqisë, Ali Babacan, gjatë takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Babacan tha se kontributi i Kosovës për stabilitetin dhe sigurinë në rajon është shumë i rëndësishëm dhe vlerësoi vullnetin e shtetit të ri për të krijuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Ai theksoi gjithashtu se "Turqia dhe Kosova kanë marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore, të cilat rrjedhin nga thellësia e historisë" dhe shtoi se mbështetja e vendit të tij për republikën më të re të Evropës është shumë e fuqishme dhe e plotë.