Turqia ka zgjedhur një konsorcium të kryesuar nga kompania franceze, Areva, dhe ajo japoneze, Mitsubishi, për të ndërtuar centralin e dytë të vendit me energji bërthamore.


Ministri turk i Energjisë, Taner Ylidiz, ka thënë se marrëveshja ndërqeveritare do të nënshkruhet të premten, gjatë takimit të kryeministrave të Turqisë dhe të Japonisë.


E përditshmja japoneze “Nikkei” ka publikuar një intervistë me kryeministrin turk, Recep Tayyip Erdogan, në të cilën ky i fundit shpreh besimin në përvojën e Japonisë me centrale të tilla, veçanërisht në zonat e ndjeshme ndaj tërmeteve.


Ai ka thënë se Japonia ka fituar njohuri edhe më të mëdha që nga aksidenti i Fukushimas, në vitin 2011.


Centrali, në vlerë prej 22 miliardë dollarësh, do të ndërtohet në provincën Sinop të Turqisë. Ai do të ketë kapacitet prej 5,000 megavatësh.


Ankaraja ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë në vitin 2010, për të ndërtuar centralin e parë të saj në Akuju./Indeksonline/