Berisha kërkon heqjen e tvsh-së në Arsim dhe Shëndetësi. Ndërsa Bode kërkon uljen në 10%





TIRANË - Vetëm pak kohë më parë, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, premtoi heqje të tatimit mbi vlerën e shtuar në Arsim dhe Shëndetësi, teksa radhiste një sërë prioritetesh që qeveria aktuale do të ketë këtë mandat të ri katërvjeçar.





Por tjetër variant, nga ajo çka është trumbetuar nga vetë kreu i ekzekutivit, po përgatitet në zyrat e Ministrisë së Financave. Vendimi për uljen ose heqjen e tatimit mbi vlerën e shtuar në Arsim dhe Shëndetësi ka krijuar debate brenda qeverisë.





Kjo sepse Ministria e Financave ka përgatitur një draft, i cili parashikon përgjysmimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për bizneset që ofrojnë produkte dhe shërbime në fushën e Arsimit dhe Shëndetësisë nga 20 në 10 për qind.





Por ky variant i mbështetur nga ministri i Financave, Ridvan Bode, nuk ka kaluar ende në qeveri për miratim, pasi Kryeministri Berisha duket se kërkon që tatimi mbi vlerën e shtuar në këta dy sektorë të hiqet përfundimisht. Pika e nxehtë e projektligjit ka të bëjë me tvsh-në që do të paguhet për medikamentet.





Aktualisht, ilaçet dhe barnat në Shqipëri janë të përjashtuara nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe bizneset në fushën e Shëndetësisë paguajnë tvsh vetëm për shërbimet që ato ofrojnë si vizitat apo diagnostikimet e pacientëve.





Nëse do të miratohej drafti i përgatitur nga Ministria se Financave, atëherë edhe medikamentet do të përfshiheshin në skemën e tvsh-së, duke çuar automatikisht në rritje të çmimit të barnave në treg.





Në anën tjetër, nëse do t'u referohemi edhe deklaratave publike të Kryeministrit Berisha, qëndron varianti "b" i mbështetur nga ky i fundit, që konsiston në heqjen e tvsh-së në Arsim dhe Shëndetësi. Konkretisht, heqja e tvsh-së në arsim do të sillte në mënyrë kategorike edhe përfitime për studentët, ndaj të cilëve nga universitetet private mund të aplikohen tarifa më të ulëta shkollimi.





Megjithatë, gjithçka pritet që të vendoset vetëm ditët në vijim, në një nga mbledhjet e qeverisë, për të parë realisht nëse ka një vullnet real nga ana e Kryeministrit Berisha për heqjen e tvsh-së në këto dy sektorë, apo do të miratohet varianti tjetër, ai i përgjysmimit, i mbështetur fort nga Ridvan Bode, variant i cili realisht nuk mund të kalojë pa miratimin e vetë kreut të ekzekutivit.