Rrjetet sociale:
(ALBANIA SPORT) - Shqipëria U-19 i bëri një mbyllje me dinjitet eliminatoreve të Kampionatit Europian të kësaj moshe, duke zbrazur dufin e mbledhur ndaj San Marinos, me një fitore bindëse 4-1 ndaj të zotëve të shtëpisë. Formacioni i drejtuar nga Ramadan Shehu së paku u rikthye me një fitore në atdhe, pas dy humbjeve me Italinë (5-0) dhe Irlandën (2-0), duke ja “bërë dhuratë” vendin e fundit modestëve sanmarinezë.
Ndeshja u dominua plotësisht nga përfaqësuesja jonë, ku spikasin jo vetëm autorët e golave, Amando Vajushi (Vllaznia), Bekim Bala (Vllaznia) dhe zëvendësuesi Erti Koni (Olimpiku i Tiranës), por i gjithë ansambli i dirigjuar nga bankina nga Ramadan Shehu.
Gjithsesi, Kombëtarja jonë priti 44 minuta për të shënuar golin e parë me anë të Vajushit. Në fraksionin e dytë, formacioni i Shehut ishte më konkret, teksa Bekim Bala realizoi dy gola brenda tri minutave, 66 dhe 68.
San Marino shënoi golin e nderit me anë të një penalltie të realizuar nga Stefaneli në minutën e 72-të. Trajneri bëri dy zëvendësime në minutën e 80-të, duke hedhur Manukën në vend të Tepshit dhe Konin në vend të Balës. Pikërisht, ishte Koni autori i golit të katërt në minutën e 89-të, duke vulosur shifrat 4-1 e bërë një mbyllje me nder eliminatoreve.
Në ndeshjen tjetër të grupit tonë, Italia fitoi 2-0 me Irlandën, duke u renditur e para në grup, me 9 pikë të plota, pas fitoreve 5-0 me Shqipërinë, 4-0 me San Marinon dhe 2-0 me Irlandën. Gjithsesi, edhe Irlanda, si vendi i dytë, do të vazhdojnë më tej në turin e dytë eliminator të Kampionatit Europian U-19, të quajtur “Elite Round”.
NDESHJET E SHQIPËRISË
13.11.2009
Itali-Shqipëri 5-0
Shënues: Dumitru 21’, D’Alesandro 43’, Destro 53’, Zigoni 79’ e 82’
15.11.2009
Irlandë- Shqipëri 2-0
Shënues: Doran 56’ (p), Henderson 84’
18.11.2009
Shqipëri-San Marino 4-1
Shënues: Vajushi 44’, Bala 66’, Bala 68, Koni 89’/ Stefaneli 72’ (p)
RENDITJA
Italia 9
Irlanda 6
Shqipëria 3
San Marino 0
Numri i klikimeve - 847
E Merkure, 18 Nentor 2009