Çështja


Prokuroria pushoi hetimet për Alban Ahmetajn, emërohet tek Interpoli. PD-ja akuzon Tahirin, replikon ministria


Vendimi i Prokurorise (1)_1Një ish-oficer i lartë i policisë shqiptare, i pezulluar për shkak të nisjes së hetimeve nga prokuroria për korrupsion, është rikthyer në detyrë. Albano Ahmetaj ka drejtuar para muajit mars të këtij viti njësinë operacionale në Policinë e Shtetit, ndërsa emri i tij u përmend në një çështje ryshfeti. Së fundmi, ai është rikthyer në detyrë, por kësaj here tek Interpoli. Për këtë çështje, Partia Demokratike ka akuzuar Tahirin se ka rikthyer në detyrë një oficer të përfolur, ndërsa Ministria e Brendshme thotë se hetimet për Ahmetajn janë pushuar nga Prokuroria e Tiranës.


 


Korrupsioni


Në muajin shkurt të këtij viti, një efektiv i Policisë së Shtetit u kap me 3.6 kilogramë heroinë në shtëpi. Prokuroria vijoi hetimet deri në muajin shtator të këtij viti. Në datën 1 shtator, akuza vendosi të pushonte hetimet ndaj Ahmetajt, ndërsa dërgoi në gjykatë dy të pandehur. Ata janë Avni Shaba dhe Hamez Demushi, të cilët akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe prodhim e shitje të narkotikëve. Prokuroria sekuestroi disa shkresa në banesën e Demushit, që kishin të bënin me një tentativë të tij për të shkuar tek operacionet speciale që drejtohej pikërisht nga Ahmetaj. Duke përgjuar Demushin, prokuroria shkoi në gjurmët e një korrupsioni, pasi u dyshua se për këtë transferim, krerët e policisë i kishin kërkuar katër mijë euro. Më 11 mars 2015, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në atë kohë Artan Didi, ka firmosur vendimin për pezullimin paraprak nga detyra të drejtuesit Alban Ahmetaj. Ndërkohë, prokuroria vazhdonte të hetonte Ahmetajn dhe pati disa korrespondenca me policinë, teksa në dosje ishin edhe disa përgjime. Në një bisedë telefonike, Alban Ahmetaj, që priste të takonte Avni Shabën, ndërmjetësin e Demushit, e pyet A i more shegët?. Më vonë, Demushi, duke folur për pagesën që i ka dhënë Ahmetit, thotë: Ia pata dhënë unë. Mi pat kthyer dy. Pati mbajtur dy dhe orën që kushtonte një mijë euro. Dhe një mijë ia pata dhënë në darkë. Katër mijë euro ia kam dhënë. Në fund, akuza vendosi që të çonte në gjykatë vetëm Demushin dhe Shabën.


 


PD-ja dhe ministria


Partia Demokratike e denoncoi si provë të inkriminimit të policisë rikthimin e Ahmetajt në radhët e policisë. Me gjithë të kaluarën kriminale dhe jo të largët të pak muajve më parë, Tahiri e rikthen sërish Ahmetajn në detyrë, dhe pikërisht në Interpol. Ahmetaj është pjesë e segmentit të ngushtë të Tahirit, e njerëzve të tij të besuar në punët e pista të policisë. Ai është gjithashtu donator i Partisë Socialiste. Rikthimi i tij në zyrën e Interpolit, provon se inkriminimi është i pandalshëm në Policinë e Shtetit, dhe se me Saimir Tahirin postet kyçe janë të kapura nga bandat dhe trafikantët e drogës, deklaroi kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkeleid Alibeaj.


Ndërkohë, reagoi edhe Ministria e Brendshme. Lidhur me rikthimin në radhët e Policisë së Shtetit të oficerit Albano Ahmeti, pas një periudhe pezullimi nga detyra gjatë kohës që ai ishte nën hetim për një çështje penale, sqarojmë se janë ndjekur të gjitha hapat procedurale dhe në respekt të legjislacionit dhe rregullores në fuqi. Oficeri Ahmeti është emëruar në detyrën që mban aktualisht vetëm pasi Prokuroria e Tiranës ka pushuar çështjen ndaj tij, thuhet në reagim.


Ky shkrim U akuzua për korrupsion, në detyrë ish-shefi i operacioneve speciale u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.