Sikur të mos mjaftonte humbja në përballjen direkte ndaj Napolit, Juventusi duhet të vuajë edhe pasojat e kësaj sfide që ka rihapur më shumë se kurrë garën për titullin kampion në Serie A.


Dëmtimi që pësoi qendërmbrojtësi Giorgio Chiellini në duelin ndaj të kaltërve të Sarrit do ta mbajë futbollistin e përfaqësueses italiane jashtë derbit të Italisë ndaj Interit që do të zhvillohet të shtunën e ardhshme dhe që mund të rezultojë një sfidë përcaktuese për fatet e titullit kampion.


Chiellini u largua pas vetëm 10 minutash lojë nga Allianz Stadium në sfidën ndaj Napolit për shkak të një problemi në kofshën e këmbës së majtë dhe në këtë mënyrë do të mungojë edhe në sfidën ndaj Interit, një humbje e madhe kjo për Massimiliano Allegrin. Mbrojtësi do tu nënshtrohet të tjera analizave ditët në vijim për të mësuar më shumë për shkallën e dëmtimit, por frika e stafit mjekësor të Juventusit është se ndoshta ky sezon mund të ketë përfunduar përpara kohe për Chellinin.


23 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)