TIRANE-Shefik Hoti, një nga futbollistët e dënuar pak javë më parë nga  Komisioni i Disiplinës për rrahje të gjyqtarit të ndeshjes së Kategorisë së Tretë mes Shkodrës dhe Partizanit B, mund t’u rikthehet që nga dita e sotme aktiviteteve zyrtare të futbollit.

Sic ben te ditur e perditshmja sportive, PanoramaSport, lojtari, i cili ishte dënuar nga Disiplina përjetësisht larg futbollit, ka bërë kërkesë në Komisionin e Apelit për falje. Ky i fundit e ka falur në një mbledhje që ka zhvilluar vetëm për këtë çështje gjatë ditës së djeshme. Deri në këtë pikë nuk ka asgjë të veçantë, pasi kemi të bëjmë me një procedurë standarde, që ndjekin komisionet pranë FSHF-së. Mirëpo, në këtë vendim e dyshimtë është baza mbi të cilin është marrë ai. Në lajmërimin e bërë nga FSHF-ja nuk ka asnjë argument për ta falur një lojtarin, i cili akuzohej se në bashkëpunim me shokët e skuadrës, ka gjakosur një gjyqtar brenda fushës së blertë. Në vendimin e Komisionit të Apelit nuk përcaktohet as neni mbi të cilin është marrë vendimi, çka është edhe më minimalja në raste të tilla, apo ndonjë arsye tjetër për kërkim falje ndaj arbitrit, apo gjithçka që mund të justifikonte një vendim të tillë që, i ardhur në këtë mënyrë, të lë dyshime.

Ngjarja 
Në minutën e 89- të të ndeshjes Shkodra-Partizani B, e cila u luajt në kompleksin “Skënder Halili”, kur rezultati ishte 2-1 në favor të të kuqve, gjyqtari Armando Kamberaj akordoi një goditje dënimi për Partizanin pas ndërhyrjes së Gurit në dëm të Sikës. Arbitri e ndëshkon futbollistin shkodran me karton të verdhë dhe ky i fundit proteston duke sharë dhe ofenduar gjyqtarin. Në momentin kur Kamberaj po nxirrte kartonin e kuq, Sejdi Guri i afrohet duke e goditur me grushte. Në këtë çast është afruar nga stoli futbollisti Artil Kuqaj, i zëvendësuar gjatë pjesës së dytë. Lojtari shkodran e ka goditur keqas me shkelma e grushte arbitrin, duke e rrëzuar të gjakosur në tokë. Vetëm pas disa sekondash afrohen pranë gjyqtarit kryesor thuajse të gjithë futbollistët shkodranë, duke e goditur me shkelma. Është dashur ndërhyrja e forcave të rendit, të cilat kanë ndalur sulmin e egër të lojtarëve të Shkodrës.

(d.b/BalkanWeb)

Lidhje te tjera VIDEO: U dënua përjetë se rrahu gjyqtarin, Komisioni i Apelit e fal