Më në fund, Kuvendi i Kosovës për herë të parë diskutoi për sportin kosovar. Akullin e theu deputeti Bekim Haxhiu, i cili inicioi debatin. Ai u bëri thirrje institucioneve shtetërore që t’i hapin rrugë zhvillimit të sportit kosovar.


Nga Valon Konushevci më 27 mars 2011 në ora 12:58

Më në fund, në Kuvendin e Republikës së Kosovës për herë të parë është diskutuar rreth sportit kosovar. Akullin e theu deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili njëherësh është nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).



Haxhiu, të premten gjatë seancës plenare në të cilën u miratua në parim Projektbuxheti për vitin 2011, tha në Parlament se sporti kosovar nuk i ka punët aspak mirë. Ai alarmoi institucionet shtetërore se ndërhyrja e tyre është më se e nevojshme për ta nxjerrë nga kjo krizë sportin tonë.



Sipas tij, investimet e deritanishme të Qeverisë së Kosovës në sport nuk kanë qenë të mjaftueshme, kur dihet se nevojat janë shumë më të mëdha.



Njëherësh, ai u ka bërë thirrje institucioneve përkatëse që ta përshpejtojnë procesin e rregullimit të infrastrukturës ligjore për sport, saktësisht rregullimin e Ligjit për sport dhe atë për Sponsorim.



Po ashtu, Haxhiu u ka bërë thirrje krerëve të komunave të Kosovës t’i krijojnë kushte Bashkimit Evropian për të investuar në infrastrukturën sportive nëpër qytetet ku ata menaxhojnë.



Me këtë rast, Haxhiu ka kritikuar Komunën e Prishtinës, e cila, sipas tij, para pak kohësh ia pamundësoi Komisionit Evropian të investojë në një projekt sportiv në kryeqytet në vlerë prej 14,5 millioë eurosh.



“Krejt ajo çka desha të them të Parlament, është se u bëra thirrje institucioneve shtetërore t’ia hapin rrugë zhvillimit të sportit kosovar. Kjo është legjislatura e katërt, derisa asnjëherë deri më tani në Parlament nuk është diskutuar për sportin, dhe ne komuniteti sportiv jemi ndje të anashkaluar”, deklaroi Haxhiu për Express.



“Andaj, meç tash jam deputet i Kuvendit të Kosovës, e nisa unë diskutimin dhe mburrem me këtë. Kjo nuk do të jetë hera e fundit që inicioi debat në Parlament. Por, unë për aq kohë sa do të jem deputet, do të jem një zë i fuqishëm i sportit kosovar në Kuvendin e Kosovës”, shtoi ai.



Ai theksoi se qe 25 vjet është pjesë e komunitetit sportiv të Kosovës. Andaj, Haxhiu tha se i di mirë brengat e këtij komuniteti, të cilit, premtoi se do të përpiqet t’i ndihmojë me të gjitha mundësitë që ka si deputet i legjislativit.



“Është koha që kjo legjislaturë dhe kjo Qeveri t’ia hapë rrugën e zhvillimit të sportit. Ministri i Financave tha në atë seancë se do t’i kushtojë rëndësi më të madhe sportit, dhe shpresoj që kjo të ndodhë. Për fat të mirë, Memli Krasniqi është ministër i ri i Sportit, dhe kam vërejtur tek ai një vullnet për ta çuar përpara sportin tonë”, përfundoi Haxhiu, i cili në këtë seancë, duke folur për sport, është përkrahur edhe nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjollca Krasniqi.



Tash e një kohë të gjatë, komuniteti sportiv ndihej i anashkaluar nga institucionet shtetërore. Krerët e organizatave sportive të Kosovës ankoheshin në ndarjen e buxhetit të vogël për sport nga ana e Qeverisë.



Por, ata akoma më shumë mërziteshin kur kujtonin se Kuvendi i Kosovës assesi nuk po gjen kohë për të diskutuar edhe për sport.