Të tjera rreth shkrimit Pas grabitjes, vret veten për t'i shpëtuar policisë
TIRANE - Dje është përcjellë për në banesën e fundit Përparim Bala, 23-vjeçari nga qyteti i Bulqizës, i cili sipas policisë, është gjendur i vetëvrarë në automjetin e grabitur prej tij në një maratonë ndjekje të efektivave blu në segmentin rrugor Librazhd–Elbasan.
Përparim Bala, i cili humbi jetën një ditë më parë gjatë një shkëmbimi me armë zjarri me policinë e Elbasanit dyshohet se ka qenë i droguar. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se 23-vjeçari njihej si konsumues i lëndëve narkotike, por ky fakt do të vërtetohet pas ekspertizës mjeko-ligjore.
Pas përplasjes me armë me blutë e Elbasanit, autori i dyshuar i grabitjes me armë të 23 milionë lekëve të një kambisti në Bulqizë dhe një sasie bizhuterish është gjendur, sipas policisë i vetëvrarë, megjithëse plumbat, sipas familjarëve kanë lënë gjurmët e tyre në çdo anë të mjetit të drejtuar nga viktima. Ndaj, babai i viktimës, Ismaili dhe daja e tij, dyshojnë se ai është qëlluar nga uniformat blu.
Sipas familjarëve, ai nuk ka pasur asnjë precedent penal, madje 8 muaj më parë është bërë pre e një grupi që e kishte marrë peng e më pas gjykata i kishte lënë të lirë pa kuptuar arsyet e vërteta.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)