Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim lansoi sot dy Raporte të Zhvillimit Njerëzor në një ngjarje ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve së Kosovës, donatorë dhe palë të tjera të interesit. Raporti i Zhvillimit Njerëzor në Kosovë (RZhNjK) 2016 i titulluar Tregu i punës në funksion të grave dhe të rinjve është një hulumtim që do të stimulojë diskutime publike dhe të përmirësojë hartimin e politikave të bazuara në dëshmi në fushat e tregut të punës dhe zhvillimit ndërsa raporti ndër-rajonal i Zhvillimit Njerëzor Mbrojtja e Qëndrueshme e Ballkanit Perëndimor nga Rreziku: Fuqizimi i njerëzve në parandalimin e fatkeqësive përqëndrohet në fatkeqësitë nga vërshimet që kanë goditur rajonin kohët e fundit ku pjesë e studimit ishte edhe Kosova.

Ngjarja u hap me fjalë rasti nga zëvëndës ministrja e punës dhe mirëqenies sociale Rita Hejzeraj, zëvëndës ministri i punëve të brendshme Valdet Hoxha, Sh.S. Anne Huhtamäki, Ambasadore e Finlandës në Kosovë, Ben Slaz, këshilltar I lartë I UNDP-së për Evropë dhe Andrew Russell, Koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së për të vazhduar më tej me prezentimet e raporteve dhe diskutimet në panele ku ekspertë nga fushat përkatëse shpalosën qëndrimet e tyre.

Rekomandimet e politikave të paraqitura në këtë raport, të cilat trajtojnë rezultatet kryesore në lidhje me gjetjet e tregut të punës për gratë dhe të rinjtë, janë hartuar në konsultime me institucionet përkatëse qendrore dhe lokale, donatorët kryesorë në fushën e punësimit dhe ekspertë të ekonomisë dhe punës. Ato përfshijnë thirrje për veprim në reformë legjislative dhe të politikave, sundim të ligjit, si dhe formim të sjelljes.

Fatkeqësitë si vërshimet, thatësirat, valët e të nxehtit dhe zjarreve fushore dhe malore do të kenë pasoja negative në shumë sektorë të ndryshëm, më së shumti në bujqësi dhe pylltari dhe ajo që është më e rëndësishmja në jetën dhe mjetet e jetesës së popullatës. Hazardet ekspozojnë njerëzit dhe pasuritë e tyre ndaj rrezikut dhe pengojnë zhvillimin e individëve, ekonomive familjare, komuniteteve dhe kombeve duke dëmtuar shumicën e sektorëve të ekonomisë.