Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara votoi për pranimin e Palestinës si anëtare me të drejta të plota, lëvizje e cila u kundërshtua ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Gjermania. Mirëpo, me ndihmën e shteteve të tilla si Rusia, Kina, apo Franca, palestinezët vunë në lëvizje procesin e njohjes nw OKB, duke nisur nga UNESCO,  në pritje të një vendimi brenda nëntorit të këshillit të Sigurimit për anëtarësimin e plotë të Palesttinës, e barabartë  në mesin e kombeve të tjera të botës. Këshilli do të marrë në konsideratë aplikimin e presidentit Mahmud Abaz për njohje të plotë, i cili u krye më 23 shtator.





Delegatët në selinë qendrore të UNESKOS në Paris, pritën me duratrokitje
votimin e shteteve të mëdha në favor, madje u dëgjuan të qeshura kur
Izraeli votoi kundër. Në përfundim, 107 vota pro kundër 14 dhe 52
abstenuan, përfshi Britaninë e Madhe. Shtëpia e Bardhë ka reaguar
menjëherë, duke deklaruar se njohja e Palestinës nga UNESKO minon
procesin e paqes në Lindjen e Mesme.



"Rruga e vetme për shtetësinë palestineze është ajo që e bisedimeve të
drejtpërdrejta me Izraelin”, tha ambasadori amerikan në UNESKO,  David
Killion. Pranimi shihet si një fitore morale nga palestinezët, por vetë
agjencia humbi nga ky votim, 60 milionë dollarë që do të lëvroheshin
muajin e ardhshëm.



Një zëdhënëse e Departamentit të shtetit konfimroi prerjen e fondit,
ndërsa i pyetur për këtë lëvizje, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban
Ki Mun tha se agjencia do të shikonte mundësinë për burime të tjera
financimi. Ambasadori izraelit e cilësoi fantashkencë votimin, pasi, siç
tha ai, nuk mund të pranohet një shtet që nuk ekziston.




Juli Prifti





Azhornuar së fundi ( e hënë , 31 tetor 2011 )