Universitetet Publike, kundër propozimit të MASH për financimin e universiteteve private nga buxheti i shtetit





Rektorët: Modeli Kilian është i dështuar. Favorizon sistemin privat dhe ngritjen pa kriter të instituteve të arsimit të lartë





Rektorët e Universiteteve publike kanë kundërshtuar njëzëri propozimin e pak ditëve më parë të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, për financimin e universiteteve private me fondet e buxhetit të shtetit.





Në mbledhjen e ditës së djeshme të Konferencës së Rektorëve është diskutuar drafti, i cili përmban një listë të gjatë propozimesh dhe argumentesh për mënyrën e funksionimit të këtij modeli, si dhe pasojat që do të sillte nëse do të aplikohej në sistemin arsimor shqiptar.





Për këtë draft ka punuar një grup ekspertësh të UT-së, të cilët kanë analizuar shtatë modelet e aplikuara në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kili, Lituani, Poloni, Gjermani, Francë, duke paraqitur avantazhet dhe disavantazhet përkatëse. Në deklaratën e pak ditëve më parë, Ministri Tafaj u shpreh se modeli i ri i financimit të universiteteve në vendin tonë do të bazohej mbi një model të suksesshëm, atë kilian.





Por, sipas specialistëve të Universitetit të Tiranës, modeli Kilian jo vetëm që nuk është i suksesshëm, por ai është ndërtuar në rrethana dhe në kushte të caktuara, që nuk kanë ndonjë lidhje me sistemin shqiptar të arsimit.





Sipas analizës së UT-së, duke qenë se asnjë prej vendeve të rajonit, e as ato sisteme akademike me përvojë nuk financojnë në masë universitetet private, vlen të shihen pasojat që ka sjellë ky sistem në vendin ku u aplikua, në Kilin e diktatorit Pinoçet. "Sistemi kilian i arsimit të lartë synon regjistrimin në universitete të studentëve që vijnë nga shtresat në nevojë.





Skema e financimit për studentë, që u vendos nga regjimi ushtarak, favorizon sistemin privat dhe ngritjen pa kriter të instituteve të arsimit të lartë. Pasojat e tij janë rënie e cilësisë së arsimit të lartë në përgjithësi, ulje të ndjeshme të pagave të stafit akademik, largim të stafit të kualifikuar drejt sistemeve të tjera, duke u njohur si dështim edhe nga vetë shteti kilian", thuhet në draft, i cili vlerëson se sistemi i arsimit të lartë shqiptar ka kushte pabarazie.





Konkretisht universitetet private kanë mundësi t'i përdorin të ardhurat dhe fondet sipas dëshirës së tyre, ndërkohë që universiteteve publike iu mohohen edhe të ardhurat e vetë institucionit.





Fondi i arsimit të lartë përbëhet kryesisht nga fondi për pagat e pedagogëve, e si pasojë universitetet do të duhet të paguajnë vetë pagat e punonjësve, që do të thotë se në rastin e parë të vështirësive buxhetore do të cenohen pedagogët, qoftë duke shkurtuar organikën, ose pagat, e që në të dyja rastet cenon cilësinë e universiteteve. Nga ana tjetër, të ardhurat e universiteteve private do të rriten artificialisht, ndërsa të ardhurat e atyre publike do të ulen në mënyrë drastike.





Ndërsa, financimi i universiteteve private do të bëhet edhe nga të ardhurat dytësore të universiteteve publike, të cilat padrejtësisht nuk i janë kthyer universiteteve përgjatë gjithë këtyre viteve.





Sipas ekspertëve të UT-së, përpara se të shkohet në debatin për financimin e institucioneve të arsimit të lartë privat nga buxheti i shtetit duhet të rishikojmë pozicionin e këtyre institucioneve në sistemin arsimor shqiptar.





Elementët thelbësorë që garantojnë cilësinë e arsimit të lartë janë staf akademik i kualifikuar, niveli i studentëve dhe mundësia financiare e programeve arsimore dhe kërkimore. Në konkluzionet e këtij drafti thuhet se marrja e shembujve të shteteve të huaja dhe modeleve arsimore që ato aplikojnë nuk gjejnë zbatim në Shqipëri sepse çdo sistem i zbatuar dhe aplikuar duhet t'i përshtatet kushteve shoqërore, historike dhe traditave të ndjekura.





"Nga vende të ndryshme mund të marrim thjesht ide, por për të ndërtuar sisteme dhe politika arsimore ato duhet t'i gjejmë vetë, duke përdorur më efiçencë maksimale potencialet intelektuale të brendshme, të cilat janë në gjendje të bëjnë çdo lloj reforme, duke e përshtatur në mënyrën më të mirë të mundshme me kushtet historike, kulturore, shoqërore dhe tradicionale të vendit. Kjo, aq më tepër kur diskutohet implementimi i sistemit kilian", thuhet në draft.





Modeli kilian i financimit të institucioneve të arsimit të lartë favorizon sistemin privat dhe ngritjen pa kriter të universiteteve, theksohet në draftin e përgatitur nga Universiteti i Tiranës (UT) mbi reformën e financimit, të cilën brenda pak ditëve do ta hedhin në diskutim me aktorët e tjerë të përfshirë në sistemin e arsimit të lartë.



Nuk ka kritere për përcaktimin e studentëve që do të përfitojnë nga fatura



Sistemi me "faturë" i jep të drejtën studentit të zgjedhë Universitetin që dëshiron. Kjo do të thotë që sasia e fondeve publike që do të marrë një institucion do varet nga aftësia e institucionit për të tërhequr studentë.





Disa programe jo "tërheqës" nuk do të marrin dot mjaftueshëm "mbajtës Faturash" (studentë), të cilët të mund t'i sjellin të ardhura (degët inxhinierike, miniera, etj).





Kjo e vendos një student në pozicionin e një blerësi, ndërkohë që ai nuk po blen me partë e tij, por me paratë e qeverisë, pra me paratë e taksave. Specialistët e UT-së argumentojnë se një veprim i tillë do të çonte në kërkesë më të ulët për disa programe deri dhe në mbylljen e tyre dhe pse mund të jenë programe të mira.





Një tjetër problem të sistemit me "faturë" që ata evidentojnë është se cili student do të arrijë të fitojë këtë të drejtë dhe cili jo? Deri në çfarë niveli këto do të jenë të bazuara në merita apo dhe nevoja?





Këtu vlen të theksohet se financimi mbi baza meritash, nuk vë dot në dukje ndryshimin e niveleve më të hershme të arsimimit. Metoda më "fatura" për student e financimit të arsimit të lartë sjell dhe jo qëndrueshmëri në investimet e institucioneve, fakt ky që vë shumë në diskutim cilësinë e arsimimit ndërmjet viteve.