BLEDAR KURTI


Bledar KurtiIdeja e një presidenti të zgjedhur nga populli ka tashmë disa vite që është bërë pjesë e debatit politik. Kujtoj që në vitin 2011 ky ishte një nga debatet kryesore të kohës. Deputeti Ben Blushi bashkë me nëntë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë së fundmi kanë firmosur amendamentin kushtetues për zgjedhjen e presidentit nga populli dhe kanë iniciuar një peticion online. Por a do ketë sukses kjo nismë? Unë mendoj që absolutisht jo.


Megjithatë, Blushi meriton një aplauzë të fuqishme për këtë nismë, sepse janë këto çështje për të cilat ia vlen të diskutohet në Parlament, në ekrane televizive, gazeta, kafene, etj. Në një shoqëri si kjo e jona, e cila, në mënyrë tragjike, madje meriton të quhet katastrofike, e degraduar nga debate tejet banale mbi sa emra kanë kryetarët e bashkive, brekë të grisura apo të qëndisura, etj, një debat i tillë tregon se ka edhe mendje normale të cilat nuk e pranojnë këtë lloj degjenerimi të shoqërisë.


Blushi është brilant në penë dhe në verb. Dhe debatet që shtron për diskutim përpara opinionit publik janë me interes dhe meritojnë një vëmendje të veçantë.


Amicus Blushi, sed magis amica veritas, por pavarësisht vlerësimit për personalitetin politik dhe mendimet e Blushit, mendoj që ideja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli është utopi. Unë besoj që, edhe vetë Blushi e di fare mire këtë gjë, por përmes humbjes ai guxon të fitojë ngritjes e nivelit të debatit politik në vend, i cili, siç e përmenda më lartë është totalisht i degraduar.


Një president i zgjedhur nga populli është utopi. Së pari, ndonëse kjo procedurë aplikohet në disa vende të botës, është e vështirë të ndërthuret organikisht me sistemin e Republikës Parlamentare që ka Shqipëria. Kjo mund të bëhej e mundur vetëm nëse demokracia e vendit tonë do ishte e konsoliduar prej dekadash dhe jo-fraxhile siç vazhdon të jetë në këto njëzetë e pesë vjet.. Nën klimën aktuale politike, ku të gjitha parimet demokratike institucionale janë shkelur tërësisht me këmbë, dhe vetë institucionet nuk bashkëpunojnë por janë në armiqësi me njëra tjetrën, përmendim këtu konfliktet Presidencë-Bashki e Tiranës; Ministri e Brendshme- Prokurori, Gjykata, SHISH, etj; mazhorancë qeverisëse që del në protesta kundër gjyqësorit; e çudira të tjera si këto, zgjedhja e presidentit nga populli do sillte më shumë stuhi dhe agravim të situatës se sa një ulje të tensionit dhe detante midis institucioneve dhe partive politike.


Ideja e zgjedhjes së presidentit nga populli tingëllon shumë romantike por mbart një seri problemesh brenda vetes të cilat e bëjnë atë të mos gjejë prakticitet në situatën aktuale, madje mund të shkaktojë ndarje të mëtejshme politike.


Nëse presidentin e zgjedh populli, kush do e largojë atë nga detyra nëse ai shkel ligjin dhe abuzon me ofiqin? Përsëri populli? Si? Apo do jetë parlamenti ai që do e ketë këtë të drejtë? Nëse po, atëherë i bie që kreu i shtetit të zgjidhet nga populli dhe të shkarkohet nga politika, ndaj a nuk është më mirë formula ekzistuese, e cila, të paktën, i ofron palëve politike të arrijnë një konsensus?


Dhe a nuk do ishte më mirë që përpara se të kemi një president nga populli të kishim një parlament nga populli. Me sistemin proporcional rajonal popullit i lejohet të zgjedhë vetëm partinë dhe jo individin që do e përfaqësojë atë.


Gjithashtu, një president nga populli do sillte një fushatë me shumë shpenzime për buxhetin e shtetit dhe do i hapte derën marrëveshjeve me biznesmenët dhe madje me vetë partitë politike. Konsensusi midis partive është në gjendje të prodhojë një president nga politika, akademia, shoqëria civile, diplomacia, kultura, ushtria, etj, ndërsa presidenti nga populli prodhon vetëm biznesmenë apo politikanë të pasur, pasi asnjë njeri i thjeshtë pa pará nuk do i përballonte dot shpenzimet e jashtëzakonshme të një fushate presidenciale.


Një president nga populli prodhon një kandidat apo fitues që mund të bëjë marrëveshje paraprake me partitë politike të cilat me numrin e madh të anëtarëve dhe militantëve të tyre janë vendimtare n vendosjen se kush do të bëhet president. Ndaj a është më mirë një president i dalë nga një marrëveshje politike apo nga një maxhorancë qeverisëse, apo një individ që në emër të popullit bën pazare dhe marrëveshje të fshehta me partitë politike?


Mbi të gjitha, populli tashmë e ka të drejtën e zgjedhjes së ofiqit më kryesor të shtetit: kryeministrin. Përmes votës shqiptarët kanë në dorë të zgjedhin kryeministrin e vendit të tyre dhe ta largojnë përsëri me votë pas mandatit katërvjeçar nëse nuk e duan një mandat tjetër. Mbështetësit e presidentit nga populli përdorin shembullin e Amerikës, i cili është një shembull tërësisht jashtë kontekstit shqiptar pasi SHBA janë republikë presidenciale, dhe jo, ndryshe nga perceptimi i gabuar që kanë shumë njerëz, presidenti amerikan nuk zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli, por nga Kolegji Zgjedhor.


Një president nga populli nuk ka qenë dhe nuk është prioritet dhe kriter për integrimin e vendit në BE, dhe për hir të vërtetës nuk do zgjidhte as edhe një gjë në natyrën konfliktuale të politikës apo institucioneve shqiptare. Madje, duke u bazuar mbi mentalitetin e pushtetarëve shqiptarë, do prodhonte një ofiq arrogant, kundërpedal, dhe pse jo, për shkak të parave të mëdha që do ketë ndonjë kandidat i caktuar, edhe një president me kush e di se sa emra në biografi.


Unë jam i mendimit se pavarësisht çdo ndryshimi kushtetues, madje edhe një ndryshim total të të gjithë sistemit qeverisës nuk do prodhojë një politikë apo demokraci më të mirë nga kjo që kemi sot.


Fajin nuk e ka as sistemi dhe as ligjet por njerëzit që e drejtojnë sistemin dhe implementojnë ligjet. Ne mund të huazojmë sisteme të përsosura nga jashtë por njerëzit që do e drejtojnë sistemin janë nga brenda, ndaj përpara se të ndryshojë sistemi dhe kushtetuta duhet të ndryshojnë disa nga njerëzit që e bëjnë politikën shqiptare.


Një qeveri e popullit, nga populli, dhe për popullin kërkon më shumë sesa zgjedhja e presidentit me votë popullore. Kjo është një çështje e ndërgjegjes qytetare dhe politike. Edhe e shumë përfolura reforma në drejtësi mundohet thjeshtë të ndryshojë ndërgjegjen e individit, nga të korruptuar në të pakorruptuar, që do të thotë nëse drejtuesit e institucioneve, gjykatësit, prokurorët, ministrat, kryeministri, madje edhe presidenti që kemi sot, do kishin një ndërgjegje tjetër, sistemi që kemi do funksiononte për mrekulli.


Nëse presidenti aktual do kishte ndërgjegje politike dhe të qëndronte mbi palët Blushi nuk do propozonte një president nga populli. Nëse gjyqtarët nuk do merrnin pará por do vendosnin drejtësi përmes një integriteti të lartë profesional debatet e stërzgjatura për reformën në drejtësi do ishin të panevojshme. Dhe nëse politika do hiqte dorë nga paranoja apo shantazhet për burgim rivalësh apo kundërshtarësh politik debatet do ishin të ndryshme nga këto që kemi sot.


Vetëm për mungesë të ndërgjegjes individuale dhe kolektive Shqipëria ka lënguar ndër shekuj. Në një vend ku vlerat janë shndërruar në antivlera dhe vagabondizmi ulet në ofiqet më të larta shtetërore, dhe mungesa e ndërgjegjes profesionale dhe filozofisë së punës përmes të shërbyerit do na pengojnë të përparojmë në reforma, që ndihmojnë në konsolidimin e demokracisë liberale në vend.


Një president nga populli është një utopi momentale. Megjithatë, një debat i tillë i shërben vendit më shumë se sa kakarisjet diletante shtetërore, sulmet politike adoleshente në rrjete sociale, dhe degradimi i gjerë i shumë personazheve gaztore të cilët në të vërtetë nuk janë zgjedhur nga populli.