Politikanët jo gjithmonë kanë mundësi t‘i zgjedhin shokët e tyre. Për hir të marrëdhënieve të mira me vende strategjikisht të rëndësishme, Uashingtoni ndonjëherë bën një sy qorr ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut, mungesës së popullaritetit brenda vendit, apo defekteve të tjera të karakterit që kanë liderë të ndryshëm. Shtypja e pakicave, nxitja e luftërave, refuzimi për të lënë pushtetin, të gjitha këto mund të tolerohen nëse një politikan, apo vendi i tij, vihen në shërbim të interesave rajonale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka raste kur bëhet fjalë për liderë të komplikuar, të cilët mbështesin dhe gjenerojnë politika të paqarta. Më poshtë do të shihni një sondazh jo fort të plotë të liderëve që u duhen Shteteve të Bashkuara, disa prej të cilëve edhe pëlqehen prej saj, por që shpesh janë edhe të padurueshëm.







Lideri: Mikail Sakashvili



Posti: President i Gjeorgjisë



Çfarë i pëlqejnë amerikanët? Sakashvili ka studiuar në Perëndim dhe kjo duket jo vetëm në CV-në e tij personale, por edhe në politikëbërje. Ai është shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një bursë nga Departamenti i Shtetit dhe ka studiuar për ligje në Universitetin e Kolumbias e më pas në universitetin "George Uashington". Që kur erdhi në pushtet, në vitin 2003, Sakashvili është përpjekur ta fusë vendin e tij në rrjedhën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe NATO. Ka kryer reforma ekonomike, duke e shndërruar ish-Republikën Sovjetike në një kërcënim të vërtetë për zonat e ndikimit rus në rajon. Ai madje u përball edhe në një luftë me Rusinë gjatë verës që shkoi, në lidhje me kontrollin e disa krahinave. Si rezultat i qëndrimit anti-rus të Sakashvilit dhe të retorikës së tij pro-demokratike, Uashingtoni e ka pajisur atë me armë dhe trajnime ushtarake. Në udhëtimin e tij në Tbilis, kryeqyteti i Gjeorgjisë, zëvendëspresidenti amerikan, Biden, e risiguroi Sakashvilin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta mbështesin atë edhe në të ardhmen. Kjo, ndërkohë që Uashingtoni ka si synim të politikës së jashtme përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën.



Nga se irritohet Uashingtoni? Pavarësisht pretendimeve të Sakashvilit se po e demokratizon Gjeorgjinë, reformat politike kanë qenë shumë të pakta. Një demonstratë paqësore anti-qeveritare në vitin 2007 u përball me përdorimin e dhunës nga ana e forcave të policisë. Kjo e fundit u urdhërua nga Presidenti që të përdorte gazin lotsjellës dhe armët e zjarrit kundër protestuesve. Qeveria e Gjeorgjisë renditet ende në vendin e 67-të në indeksin prej 180 vendesh të "Transparency International". Zyra e Presidentit është shumë ekstravagante. Disa e quajnë atë "vendi i Caligulas". Ndërkaq, gjithnjë e më tepër po vërtetohet se Sakashvili ishte shkaktari kryesor i luftës me Rusinë verën e kaluar, luftë që mori qindra jetë njerëzish. Ajo çka rusët nuk durojnë dot, është miqësia e Sakashvilit me amerikanët dhe



mbështetja që ata i japin për t‘u anëtarësuar në NATO.





Lideri: Viktor Jushçenko



Posti: President i Ukrainës



Çfarë i pëlqejnë amerikanët? Pas një beteje të gjatë elektorale në vitin 2004 për postin e Presidentit të Republikës me kundërshtarin Viktor Janukoviç (njeriu i Moskës), Jushçenko u bë President i Ukrainës. Ky ndryshim ndodhi pas të ashtuquajturit Revolucioni i Portokallinjtë. Që nga viti 2004, pra nga dita e ardhjes në pushtet, Presidenti ka luftuar për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Ashtu si dhe homologu i tij gjeorgjian, Jushçenko ka gjithashtu lidhje personale me Amerikën, duke qenë se bashkëshortja e tij është amerikane.



Nga se irritohet Uashingtoni? Mandati i Jushçenkos është karakterizuar nga një rivalitet dhe luftë e brendshme për pushtet, që shpesh ka shkaktuar kolapse të vërteta ekonomike dhe politike në Ukrainë. Kjo ka vënë seriozisht në dyshim aftësinë e tij për ta mbajtur vendin të bashkuar. Kabineti i tij është përfshirë herë pas here nga akuza për korrupsione dhe ryshfete. Për sa i përket situatës brenda vendit, ai fajësohet për shkatërrimin e ekonomisë ukrainase dhe popullariteti i tij ndodhet në pikën qesharake, me vetëm 5% të ukrainasve që e mbështetin. Qëllimi i tij për anëtarësim në NATO nuk mbështetet nga shumica e ukrainasve dhe sigurisht që kundërshtohet haptazi nga Rusia, e cila e përdor gjithmonë Ukrainën si një mjet lufte kundër Perëndimit, pasi përmes këtij vendi kalojnë rezervat e gazit nga Rusia për në Europën Perëndimore. Marrëdhënia e ngushtë e Uashingtonit me Jushçenkon ka qenë gjithmonë një pretekst sherri me Rusinë.





Lideri: Silvio Berluskoni



Posti: Kryeministër i Italisë



Çfarë i pëlqejnë amerikanët? Gjatë viteve të Presidencës së Bushit, Berluskoni ishte aleati më i besuar dhe më besnik i amerikanëve në Europën Perëndimore. Ndryshe nga Gjermania dhe Franca, Italia nën qeverisjen e Berluskonit e ka kritikuar shumë rrallë politikën amerikane në Irak. Në vitin 2003, pavarësisht kundërshtisë së madhe nga populli italian, Berluskoni dërgoi trupat italiane në Irak. Ato iu bashkuan koalicionit amerikano-britanik, që drejtonte luftën në Irak.



Nga se irritohet Uashingtoni? Kryeministri 72-vjeçar është një kloun i vërtetë. Ai ka një jetë politike të denjë për tabloidet skandaloze, që ndërthuret gjithnjë e më shpesh me skandalet seksuale. Lajmet e fundit për orgjitë në vilën e tij në Sardenjë, në të cilat është përfshirë edhe ish-kryeministri çek, e kanë shndërruar në një figurë qesharake dhe turpi për vendin e popullin e tij. Kjo, edhe pse janë po ata italianë që e kanë votuar tri herë rresht. Ai është i njohur edhe për deklaratat qesharake që lëshon lart e poshtë. Një të tillë bëri edhe me rastin e përshëndetjes së Obamës në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një konferencë shtypi ai tha se Amerika ka zgjedhur një President të ri, simpatik dhe të nxirë nga dielli. Kryeministri italian ka bërë edhe krahasime të palezetshme të vetes me Krishtin dhe Napoleonin.





Lideri: Asif Ali Zardari



Posti: President i Pakistanit



Çfarë i pëlqejnë amerikanët? Uashingtonit i duhet dëshpërimisht ndihma e Zardarit për të luftuar talebanët që jetojnë në vendin tij, apo që kanë ikur nga Pakistani për shkak të luftës. Ndryshe nga paraardhësit e tij që kishin lidhje me ushtrinë, apo shërbimet inteligjente, Zardari nuk ka asnjë lidhje me to, as me talebanët, e megjithatë sapo kreu një ofensivë të madhe ushtarake kundër këtij grupimi. Zardari erdhi në pushtet përmes zgjedhjeve, ndryshe nga paraardhësi i tij, Musharaf, që u vendos përmes të ashtuquajturës "axhenda e lirisë". Marrëdhëniet e tij me Amerikën u shndërruan nga të mira, në "flirtuese", kur ai e quajti Sarah Palin "të mrekullueshme" dhe donte ta përqafonte gjatë takimit që pati me të në vitin 2008. E shoqja e tij ishte ish-kryeministrja e vrarë e Pakistanit, Benazir Bhuto. Ajo mendohej se do të ishte Presidentja e ardhshme e vendit, por atentati që i mori jetën në dhjetor të vitit 2007 e ndryshoi planin.



Nga se irritohet Uashingtoni? Për sa kohë që familja e tij ka qenë pjesë e rëndësishme e politikës, ai ka pasur reputacionin e një njeriu të korruptuar. Madje, kur e shoqja ishte Kryeministre e vendit, ai mori nofkën "zoti 10%", për shkak të përqindjeve që u merrte njerëzve në këmbim të ndereve të mëdha që ia mundësonte posti i së shoqes. Për sa i përket frontit të terrorizmit, është e vështirë që të dallosh se cilat janë pasojat e strategjisë dhe luftës së tij kundër talebanëve. Popullariteti i tij është në ulje, sepse edhe ai, sikundër paraardhësi Musharaf, karakterizohet për një sjellje arrogante dhe aspak të denjë me stafin dhe njerëzit e tjerë. Për këtë shkak, për të janë përhapur shumë barsoleta. Së fundmi, për të ndalur përhapjen e valës së talljeve, ai dekretoi një ligj që i dënonte të gjithë ata të cilët dërgonin me mesazhe apo rrëfenin barsoleta për të në publik.





Lideri: Hosni Mubarak



Posti: President i Egjiptit



Çfarë i pëlqejnë amerikanët? Ky lider arab e ka mbajtur Egjiptin në sundim për dhjetëvjeçarë të tërë. Vëllazëria Myslimane, grupi më i mirorganizuar, më i madh dhe më i financuar në politikën arabe, është neutralizuar nga regjimi i Mubarakut. Liderët e grupit shpesh arrestohen dhe aktivitetet e tyre janë të kufizuara në maksimum. Mubarak ka luajtur edhe rolin e tij për marrëveshjen e paqes me Izraelin (në këmbim të parave nga Uashingtoni). Bëhet fjalë për marrëveshjen e negociuar nga Xhimi Karter. Ai e ndihmoi Izraelin që të izolonte Rripin e Gazës, duke ndaluar hyrjen e palestinezëve.





Nga se irritohet Uashingtoni? Diktatori 81-vjeçar është pengesë për demokracinë dhe lirinë e shtypit në Egjipt. Regjimi i tij i burgos kundërshtarët dhe censuron shtypin. Në vitin 2008, një botues gazete është burgosur sepse guxoi të publikonte një lajm për sëmundjen e Presidentit. Përmes manipulimit të procesit zgjedhor, Mubarak ka qeverisur me grusht të hekur për thuajse 30 vjet dhe thuhet se po përgatit të birin, Gamal, që të marrë në duart e tij pushtetin.





Lideri: Benjamin Netanjahu



Posti: Kryeministër i Izraelit



Çfarë i pëlqejnë amerikanët? Netanjahu gëzon një mbështetje bipartizane në Kongres, sikundër kanë gëzuar të gjithë kryeministrat izraelitë. Një pjesë të mirë të jetës së tij ai e ka kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e si pasojë flet një anglishte shumë të mirë. Ai ka një qëndrim të pakompromis në lidhje me kundërshtinë ndaj ambicieve bërthamore të Iranit. Sugjerimi i tij ishte që qeveria e Izraelit duhet ta ndalojë Iranin nga bërja e bombës dhe këtë duhet ta bëjë me çdo kusht.



Nga se irritohet Uashingtoni? Netanjahu nuk e ka dëgjuar këshillën e Obamës për të dialoguar me iranianët, në mënyrë që gjithçka të zgjidhet me dialog dhe në mënyrë paqësore. Ndërkohë, qeveria e tij e djathtë refuzon të ndalojë shtimin e vendosjeve të hebrenjve në Bregun Perëndimor, që përbën edhe një faktor kyç në procesin e paqes. Për të formuar një koalicion, atij ju desh që t‘i jepte postin e ministrit të Jashtëm ekstremistit Avigdor Lieberman. Ka njerëz në administratën e re amerikane që janë shumë të shqetësuar për një ndërhyrje të mundshme të Izraelit në Iran pa aprovimin e amerikanëve.