Kur kanë kaluar dy muaj nga ndërprerja e luftimeve në Siri dhe shpërbërjes me shpejtësi të kësaj arritje, Shtetet e Bashkuara po e gjejnë veten në një pozitë gjithnjë e më të pakëndëshme, duke u përpjekur për të zgjeruar bashkëpunimin me Rusinë dhe njëkohësisht duke mos rënë pre e saj.

Shembulli i fundit i mëdyshjes amerikane u vu re të premtën ndërsa zyrtarët amerikan dhe rusë punuan për të përforcuar armëpushimin në Latakia dhe Ghourta-n Lindore, përfshi edhe bisedimet mes Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov.

"Kjo nuk është diçka e re, por në të vërtetë një përpjekje e vazhdueshme nga ana jonë, kryesisht me rusët," tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të premten.Ai shtoi se statusi i qytetit verior Aleppo ishte po ashtu një shqetësim i thellë.

"Jemi duke folur me Rusinë rreth kësaj në lidhje me uljen dhe reduktimin e tensioneve atje," tha zyrtari amerikan.

Nëse bisedimet janë përfundimisht të suksesshme në shmangien e një katastrofe humanitare të përkeqësuar, mbetet për tu parë. Por ka dyshime të mëdha se Moska nuk ka interesa të tjera përveçse bisedimet.

"Megjithëse fillimisht ishin të qëndrueshme, forcat ruse në bashkëpunim me presidentin sirian Bashar al Assad, po shkelin armëpushimin," tha për Zërin e Amerikës një zyrtar amerikan i zbulimit.

Synimet ruse

Për javë të tëra zyrtarë amerikan të ushtrisë dhe zbulimit kanë paralajmëruar se të gjitha shenjat tregojnë për një sulm të mundëshëm të mbështetur nga Rusia në Aleppo. Shtimi i luftimeve kohët e fundit, të përshkruara nga Kombet e Bashkuara si "dhunë monstruoze", por përforcojnë idenë se presidenti rus Vladimir Putin nuk kërkon paqen.

"Ata do të donin terren në Siri që të jenë pjesë e lojës," tha një zyrtar amerikan me kusht të anonimitetit, duke theksuar se rusët tashmë kanë kapacitet të mjaftueshëm ushtarak. "Ka një përpjekje për ta patur këtë aftësi në termin afatgjatë," shtoi zyrtari. Megjithatë, Siria duket të jetë vetëm një pjesë e planeve afatgjata ruse.

"Motivi kryesor i Putinit për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri ishte për të ri-pohuar vendin qendror të Rusisë në arenën ndërkombëtare," tha zyrtari amerikan i zbulimit, "duke i shpëtuar izolimit ndërkombëtar me të cilin u përball Rusia pas aneksimt të Krimesë.

Disa zyrtarë amerikanë e kanë minimizuar lidhjen mes përfshirjes ruse në Siri dhe planeve ruse në Ukrainë. Megjithatë, disa analistë paralajmërojnë se kjo mund të jetë e gabuar.

"Mendoj se rusët e shohin Lindjen e Mesme si një tokë mundësish," thotë Reva Goujon, nënpresidente e Analizave Globale me kompaninë amerikane të inteligjencës, Stratfor.

"Kemi një rrjet konfliktesh që kërcënojnë tërheqjen e Amerikës në çdo hap. Nëse Rusia e përfshin veten në këto konflikte në një mënyrë mjaftueshmërisht të madhe ku Shtetet e Bashkuara nuk mund të shmangin punën me Rusinë për të menaxhuar këto konflikte, atëherë kjo i jep Rusisë mundësi për negociata më të gjera," tha zonja Goujon.