28/03/2011  Konsullja Lyra Carr: “Qytetarët të tregohen të kujdesshëm që të mos bien pre e mashtrimeve”


Vetëm pas datës 1 maj do të nisë shpallja e kandidatëve që janë selektuar si fituesit e fazës së parë në programin e lotarisë amerikane. Nëpërmjet konsulles Lyra Carr, ambasada u ka kërkuar sërish qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm e të mos bien pre e mashtrimeve. Konsullja u kërkon aplikuesve të mos bien pre e mashtrimeve në internet për lotarinë dhe të mos dërgojnë para, sikurse u kërkohen nga të tilla skema mashtrimi. Konkretisht, nëse ju keni marrë një postë elektronike (e-mail) që ju lajmëron se aplikimi juaj për programin e lotarisë ka qenë i suksesshëm dhe ju kërkohet që të dërgoni para në emër të një individi apo biznesi, ju mund të bëheni viktimë e një mashtrimi, nëse i përgjigjeni atij e-maili. Në vitet e mëparshme, kandidatët e suksesshëm njoftoheshin nga Departamenti i Shtetit, Qendra Konsullore Kentucky (QKK), nëpërmjet postës me letër e jo me e-mail, dhe u jepeshin udhëzime se si të vazhdonin hapin e ardhshëm të atij procesi. Qendra Konsullore Kentucky nuk do tju kërkojë kurrë të dërgoni para. Nëse keni aplikuar për programin e lotarisë për 2012, njoftimi zyrtar i përzgjedhjes do të bëhet online duke filluar nga data 1 maj 2011 në faqen e internetit http://www.dvlottery.state.gov/, nëpërmjet opsionit Kontroll i Statusit të Aplikimit (Entry Status Check). Kjo është e vetmja mënyrë në të cilën ju do të merrni njoftim mbi statusin e aplikimit tuaj. Nëse jeni përzgjedhur, atëherë duhet tu përgjigjeni udhëzimeve të njoftimit, që mundësohet nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit. Procedimi i rastit tuaj do të fillojë vetëm pasi ti jeni përgjigjur Kontrollit të Statusit të Aplikimit. Në këtë pikë, ju mund të merrni komunikim me e-mail direkt nga Qendra Konsullore Kentucky (QKK), e cila mund tju informojë për të shqyrtuar Kontrollin e Statusit të Aplikimit për informacione të reja në lidhje me aplikimin tuaj. Por QKK-ja kurrë nuk do tju informojë përpara kësaj pike dhe ajo kurrë nuk do tju kërkojë ti dërgoni para. Njëkohësisht, konsullja ka bërë thirrje që për rastet e tilla të njoftohet ambasada amerikane në Tiranë.