14/12/2004  Ministria e Punëve të Jashtme propozon krijimin e një regjistri të posaçëm për emigrantët, veç regjistrit themeltar të shqiptarëve. Në këtë mënyrë është pretenduar evidentimi i shqiptarëve, që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit. Ndërsa bëhet e ditur se tashmë ka nisur puna për të regjistruar të gjithë emigrantët e vendit tonë. Për këtë, janë përdorur zyrat e ambasadave dhe të konsullatave shqiptare, që, për çdo dokument të vulosur, mbajnë të dhënat e aplikantit apo të të interesuarit. Gjithsesi, regjistrimi i emigrantëve shqiptarë fillimisht është menduar të jetë në mënyrën vullnetare. Zyrat e ambasadave dhe të konsullatave janë vënë në shërbim të kërkesave për regjistrim, proces për të cilin është vënë në dispozicion regjistri i emigrantëve. Këto të dhëna më pas koordinohen me ato të regjistrit themeltar. Por, duket se dhe ky proces nuk ka dhënë rezultate. "Shërbimi i Gjendjes Civile deri në këtë moment nuk ka mundësi të identifikojë personat që jetojnë jashtë. Për momentin, nuk ka një mekanizën regjistrimi të detyrueshëm për ata që largohen jashtë shtetit", thuhet në strategjinë për emigracionin, miratuar prej qeverisë tri javë më parë. Për këtë pikë është propozuar të merren masat ekstreme. Në strategjinë e paraqitur është menduar që regjistrimi i emigrantëve të jetë i detyrueshëm. Madje, "kërkohet që të njoftohen Gjendjet Civile për këtë largim për të nisur procedurën e çregjistrimit të përkohshëm". Në këtë rast është parë e nevojshme ndryshimi i disa akteve nënligjore, pasi çregjistrimi i përkohshëm nuk ka qenë i parashikuar më parë. "Emigrantët mund të regjistrohen në zyrën rajonale lokale të punësimit në tri faza të ndryshme të udhëtimit të tyre. Kur ata duan të emigrojnë për qëllime punësimi; kur i kanë përfunduar procedurat për nisje dhe kur kthehen. Ky udhëzim nuk funksionon ende në praktikë, pasi është nxjerrë si i tillë vetëm më 16 korrik të vitit 2004, megjithatë, ai përfaqëson një hap tejet të rëndësishëm drejt mbledhjes së informacionit mbi emigrantët", thuhet në draftin e miratuar prej qeverisë. Besueshmëria e dokumenteve shqiptare është konsideruar pika më delikate në arenën ndërkombëtare, duke u bërë pengesë dhe në liberalizimin e vizave. Së fundi, është bllokuar dhe ideja e një Shengeni Ballkanik. Ndaj, regjistrimi korrekt i shtetasve shqiptarë dhe funksionimi normal i Gjendjeve Civile vlerësohet elementi më i rëndësishëm.