Investimi i parave në bono 100% i sigurt. Veprimet për bonot e thesarit i kryen vetëm BSH-ja


Ervin Koçi



Që kur kriza ekonomike botërore ka nisur të prekë edhe ekonominë shqiptare, dilema më e madhe që ngrihet çdo ditë nga ata që kanë ruajtur para mënjanë është se ku i kanë më të sigurta kursimet e tyre. Një pjesë e njerëzve mendojnë se paratë e tyre do të ishin më të sigurta në banka, por nuk është e vogël as pjesa që mendon ndryshe. Duke njohur edhe mentalitetin shqiptar të mbajtjes së parave “nën jastëk”, pyetja “sa të sigurta janë paratë tona...?”, është mëse e drejtë, për më tepër në një vend ku qindra mijëra veta u dogjën keqazi në vitin 1997 nga kriza e piramidave. Gjatë asaj kohe u zhdukën më shumë se 1 miliard dollarë kursime të qytetarëve shqiptarë. Por edhe aktualisht, kur bankat në Shqipëri po përballen me efektet e krizës ekonomike, kanë qenë jo të pakta rastet kur shtetas të kapur nga paniku kanë tërhequr depozitat e tyre nga këto banka. Vetëm në tetor të vitit 2008, sasia e tërhequr e depozitave nga bankat private në vend ishte rreth 40 milionë euro. Deri në fund të vitit, shifra ka qenë disa herë më e lartë, sipas të dhënave paraprake. Më të nxituarit kanë qenë ata që kanë pasur shifra të larta si depozita me afat, kjo pasi legjislacioni shqiptar mbulon nga 300 mijë deri në një maksimum prej 700 mijë lekësh (3-7 milionë të vjetra) në rast falimenti bankar.



Leverdia e bonove



Perspektiva e mbajtjes së parave “nën jastëk" është sa antiekonomike, po aq dhe e rrezikshme. Paraja e mbajtur kesh në shtëpi mund të bëhet pre e vjedhësve, e dëmtimit, e zjarrit, etj. Në këto kushte, ata që duan një siguri më të lartë nuk kanë se ku të gjejnë më mirë sesa investimi në Bono të Thesarit. Por, pakkush e njeh praktikën e blerjes së tyre. Mund të thuhet se siguria e investimit të kursimeve në bono aktualisht paraqet dy favore kryesore: sigurinë e kthimit 100 për qind të parave (shteti nuk falimenton) dhe marrjen e interesit që ditët e para, pas depozitimit të parave. Nga ana tjetër, sot për sot, në kushtet kur qeveria po kërkon gjithnjë e më shumë borxh të brendshëm dhe bankat e nivelit të dytë kanë më pak para, ngaqë shumë shqiptarë i kanë tërhequr ato, ndërkohë që "janë hapur" pak si shumë me kreditë, edhe norma e interesit të bonove është mjaft e lartë.



Si kryhen procedurat



Veprimet për Bonot e Thesarit i kryen vetëm Banka e Shqipërisë. Personi që dëshiron të investojë në bono duhet të shkojë paraprakisht në sportelet e BSH-së dhe të hapë një numër llogarie rrjedhëse në lekë, me emrin e tij. BSH-ja nuk pranon lekë në dorë. Kështu, personi i interesuar për bonot do të bëjë kalim nga banka në bankë të një sasie lekësh, që nuk mund të jenë më pak se 300 mijë (3 milionë lekë të vjetra). Pra, nga një bankë e nivelit të dytë duhet të kalojë paratë në numrin e tij të llogarisë në BSH, duke i paguar diçka për këtë veprim (komision shërbimi) bankës dërguese. BSH-ja pranon vetëm shifra të rrumbullakosura me qindmijëshe. Pra, 3 milionë e 100 mijë, 3 milionë e 200 mijë, etj, por jo shuma ndërmjetëse. Për personat privatë, shifra më të larta se 30 milionë lekë nuk pranohen, me përjashtim të procedurave të konkurrencës (ankandit), ku fitimi mund të jetë më i lartë, por jo kushdo mund ta bëjë atë. Normalisht, lekët kalojnë nga banka në bankë për 24 orë. I interesuari duhet të shkojë në BSH ku të pyesë se kur është ankandi i radhës i Bonove të Thesarit. Sportelisti, pasi verifikon mbërritjen e lekëve, duhet ta pyesë “nëse do të blejë bono me afat 3, 6 apo 12-mujor”. Pas përgjigjes së klientit, nënshkruhet një kontratë dhe punonjësi i BSH-së lajmëron se kur do të zhvillohet ankandi i ardhshëm dhe do t'i njoftojë një datë pas këtij ankandi. Në këtë datë, klienti do të marrë në dorë certifikatën e blerjes së bonove. Po këtë datë, ai, në qoftë se dëshiron, mund të tërheqë edhe lekët e interesit (yield-it, fitimit). Pra, fitimi merret që në fillim, minus 10 për qind të tatim-fitimit. Ndryshe nga një llogari bankare, lekët e bonove nuk mund të tërhiqen në mes të kontratës. Por bonot mund t'i shiten një banke të nivelit të dytë deri 7 ditë para se të përfundojë afati i maturimit të tyre.



Çfarë janë Bonot e Thesarit



Bonot e Thesarit janë instrument borxhi, nëpërmjet të cilave qeveritë marrin hua mjete të lira monetare (para) nga publiku. Si në çdo rast huamarrjeje, është e kuptueshme që edhe kjo formë krijon një raport marrëdhënieje dypalëshe: qeveria nga njëra anë dhe publiku nga ana tjetër. Në çdo raport, secili nga palët realizon interesat e veta. Qeveria siguron fonde (krijon borxh) me të cilat kryen një pjesë të shpenzimeve të nevojshme, ndërkohë që huadhënësi, për huanë e dhënë, merr një interes të caktuar. Blerësit më të mëdhenj të Bonove të Thesarit në Shqipëri janë bankat e nivelit të dytë, ndër të cilat veçohet banka “Raiffeisen”. Po ashtu, blerëse është edhe Banka e Shqipërisë, e cila nuk tejkalon masën e portofolit të krijuar. Gjatë viteve të fundit, masa e borxhit të brendshëm ka ardhur në rritje, në përputhje me një politikë financiare qeveritare në këtë drejtim.







30 Janar 2009