Detaj: Poroshenko: Sapo të jetë e gatshme Ukraina, ajo do të lejohet të hyjë në BE. Një deklaratë që BE-së nuk i kushton asgjë, por që për vendin tim do të ishte e barabartë me një botë të tërë”.


Proshenko-lideret e BE-seNë fakt, reagimi nga Moska nuk vonoi të mbërrinte. Vetëm pak minuta, pasi në takimin e nivelit të lartë të BE-së në Bruksel qenë vënë firmat mbi tri marrëveshjet e asociimit me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, një zëdhënës i qeverisë ruse kërcënoi me pasoja. Nëse do të përkeqësohen marrëdhëniet ekonomike me tri ish-republikat sovjetike, kjo do të ketë pasoja serioze për raportin me BE-në, u bë e ditur nga Kremlini. Ndërkohë, pas lidhjes së marrëveshjes së tregtisë së lirë mes Ukrainës dhe BE-së, që u siglua po dje gjatë një takimi të nivelit të lartë në Bruksel, Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, theksoi se vendi i tij ka paguar “çmimin më të lartë të mundshëm” për të arritur qëllimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me Bashkimin Europian. “Sigurisht të gjithë do të kishim dashur që marrëveshja të ishte nënshkruar në rrethana të ndryshme shumë më të rehatshme. Por agresioni i jashtëm me të cilin përballet Ukraina na jep një tjetër arsye të fortë për këtë hap të rëndësishëm. Duke nënshkruar këtë marrëveshje, Ukraina pranon angazhime të mëdha për reforma”, tha Presidenti i Ukrainës. Marrëveshja e tregtisë me BE-në ishte në qendër të protestave politike që çuan në largimin e ish-Presidentit të Ukrainës, Viktor Janukoviç, disa muaj më parë dhe që u pasua me aneksimin nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë. Konflikti u shndërrua në vdekjeprurës pas përleshjeve mes ushtarëve të Ukrainës dhe separatistëve pro-Rusisë në lindje të vendit. Vetë Presidenti ukrainas e quajti nënshkrimin “historik”, pavarësisht reagimit negativ të Moskës. Në mes të krizës ukrainase dhe mbështetjes ruse për separatistët në Ukrainën Lindore, BE-ja deshi të japë kësisoj një sinjal të fortë e që i tejkalon në të vërtetë përmasat ukrainase: fqinjët lindorë duhet të lidhen ngushtë me BE-në dhe të integrohen fort në tregje.


BE mbështet bashkëpunimin me Rusinë


Ndërkohë, Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, e siguroi udhëheqjen ruse se marrëveshja e asociimit nuk drejtohet kundër askujt. “Në këtë marrëveshje, ose në politikën e BE-së, nuk ka asgjë që mund ta dëmtonte në ndonjë mënyrë Rusinë”, theksoi Van Rompuy gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me krerët e ish-republikave sovjetike. “BE-ja është e gatshme që të bashkëpunojë me Rusinë, për aq sa është e nevojshme. Keqkuptimet mund të shmangen, atje ku ekzistojnë, për të projektuar së bashku një të ardhme të sigurt për kontinentin tonë të përbashkët.” Sidoqoftë, Herman van Rompuy nuk përmendi askund anëtarësim për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Megjithatë, Presidenti i Ukrainës dhe kryeministrat e Gjeorgjisë dhe të Moldavisë, nuk lanë dyshim se duan t’i shohin vendet e tyre anëtare me të drejta të plota të BE-së.


Ukraina: Duam të jemi anëtarë të BE-së


Një deklaratë formale e ardhur nga Presidenti ukrainas, Poroshenko, ngjante të ishte vërtet një kërkesë për pranim me të drejta të plota në unionin e shumëdëshiruar nga të paktën gjysma e ukrainasve. “Muajt e fundit, Ukraina ka paguar çmimin më të lartë të mundshëm, për t’i kthyer në realitet ëndrrat e saj europiane. Kjo duhet t’ia ketë vlejtur. Për shembull, BE-ja mund të bënte një deklaratë të thjeshtë: sapo të jetë e gatshme Ukraina, ajo do të lejohet të hyjë në BE. Një deklaratë që BE-së nuk i kushton asgjë, por që për vendin tim do të ishte e barabartë me një botë të tërë.” Presidenti i sapozgjedhur ukrainas theksoi më tej se njerëzit në vendin e tij kishin dhënë jetën, falë vendosmërisë ndaj Europës, duke shprehur njëkohësisht shpresën se BE-ja do të dijë të shfaqë të njëjtin solidaritet me vendin e tij, sikurse deri më tani. Sidoqoftë, ai nuk foli për sanksione kundër Rusisë. “Sulmi nga jashtë tha Poroshenko – është një shkak tjetër i fortë për këtë hap vendimtar.”


Gjeorgjia dhe Moldavia: Jemi pjesë e familjes!


Ndërkohë, Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Gharibashvili, iu drejtua gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në mënyrë të drejtpërdrejtë provincave rebele proruse në Gjeorgji, Abkazisë dhe Osetisë Jugore. Edhe njerëzit atje mund të përfitojnë nga rruga për në Europë, tha Gharibashvili. Ai e quajti marrëveshjen e asociimit me BE-në, “themelin e së ardhmes së Gjeorgjisë”. Kryeministri i Moldavisë, Ieri Leanaca, nuk përmendi fjalët anëtarësim në BE. Megjithatë, ai theksoi se vendi i tij duhej të bëhej “në mënyrë të pakthyeshme pjesë e familjes europiane”.


Ky shkrim Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, më pranë Europës BE lidh marrëveshje historike me fqinjët ish-sovjetikë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.