Ukraina tha se do ta njoftojë zyrtarisht Rusinë nuk do të zgjasë më Traktatin e saj të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Partneritetit me Moskën. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Pavlo Klimkin tha se Kievi do ti njoftojë të gjitha organizatat relevante, përfshirë Kombet e Bashkuara lidhur me masën.


Traktati është nënshkruar fillimisht më 31 maj të vitit 1997, me një klauzolë që përcaktonte zgjatjen e tij automatike nëse palët nuk bëjnë ndonjë veprim për ti dhënë fund. Marrëveshja ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 1999.


Traktati përcakton parimin e partneritetit strategjik, paprekshmërinë e kufijve ekzistues, respektin për integritetin territorial dhe një detyrim për të mos përdorur territorin e njërit vend për të dëmtuar sigurinë e tjetrit.


Ukraina ka shpallur pavarësinë e saj nga Bashkimi Sovjetik më 24 gusht, 1991, gati katër muaj përpara shpërbërjes zyrtare të Bashkimit Sovjetik.


Marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë janë përkeqësuar qëkur Moska ilegalisht ka aneksuar rajonin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur një konflikt midis separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës në vitin 2014. Më shumë se 10.300 njerëz janë vrarë në konflikt.


20 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)