Në një qytet arrestohen 70 vetë, në qytetet e tjera protestuesit qëndrojnë në pritje të armatosur


ukraina trupat rusePolicia e Ukrainës pastroi ndërtesën e administratës rajonale nga protestuesit pro-rusë në një qytet, gjatë një operacioni të kryer në agim, por protestuesit vijuan të kontrollojnë dy qytete të tjera në pjesën lindore të vendit. Pati të shtëna me armë zjarri dhe hedhje granatash gjatë operacionit që u mbyll me 70 të arrestuar në qytetin e Kharkivit. Operacioni zgjati 18 minuta dhe u shpall nga Ukraina si operacion antiterrorist.


Por në qytete të tjera në zonën industriale rusishtfolëse të Ukrainës, protestuesit pro-rusë të armatosur me kallashnikovë, ndërtuan barrikada me tela me gjemba dhe u betuan se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre për referendum, për tu rikthyer nën varësinë e Rusisë.


Në qytetin e Luhanskut, një burrë i veshur me kamuflazh, u tha një turme jashtë ndërtesës së forcave të sigurisë shtetërore: Ne duam një referendum mbi statusin e Luhanskut dhe ne duam që rusishtja të kthehet si gjuhë zyrtare. Ne nuk do të lejojmë fashizmin të kalojë, – thirri ai, ndërsa turma iu përgjigj duke brohoritur: Rusia! Rusia!.


Ukraina thotë se pushtimi i ndërtesave publike në rajonet lindore natën e së dielës ishte një përsëritje e ngjarjeve në Krime, gadishulli në Detin e Zi që u aneksua nga Moska muajin e kaluar pas një referendumi që u inskenua pasi trupat ruse kishin marrë sakaq kontrollin.


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, hodhi poshtë akuzat e Perëndimit se Moska po punon për të destabilizuar Ukrainën, duke thënë se situata mund të përmirësohet vetëm nëse Kievi merr në llogari interesat e rajoneve rusishtfolëse.


Por Britania e Madhe shprehu frikën e vet se Rusia po synon të dëmtojë zgjedhjet presidenciale të Ukrainës që do të zhvillohen muajin e ardhshëm.


Ukraina, e cila kontrollohej nga Moska deri sa Bashkimi Sovjetik u rrëzua, ka qenë në telashe që nga viti i kaluar, kur presidenti pro-rus i vendit, Viktor Janukoviç, nuk pranoi të nënshkruajë disa marrëveshje të rëndësishme me Bashkimin Europian dhe zgjodhi Moskën për mbështetje. Ky vendim shkaktoi protesta popullore që sollën rrëzimin e tij nga pushteti në shkurt. Rusia reagoi ndaj rrëzimit të tij, duke pushtuar rajonin e Krimesë.


Në Kiev, ministri i Brendshëm, Arsen Avakov, tha se ngjarjet e fundit në Ukrainën Lindore qenë produkt i Moskës. E gjitha kjo u frymëzua dhe u financua nga grupimi Putin-Janukoviç, – tha ai.


Një ndihmës i tij tha se policia ndërhyri pasi protestuesit refuzuan të dorëzohen. Oficerët nuk hapën zjarr pavarësisht të shtënave dhe sulmeve me granata nga ana tjetër, tha ai. Një polic u plagos rëndë dhe disa të tjerë u lënduan.


Në Luhansk, një qytet me rreth 450 mijë njerëz, protestuesit kanë bllokuar rrugët përreth ndërtesës së shërbimit sekret shtetëror, e cila është pushtuar prej tyre. Barrikadat janë ngritur me mjete rrethanore. Sipas një protestuesi që nuk pranon të identifikohet, ata disponojnë rreth 200-300 kallashnikovë dhe disa granata trullosëse, por deri tani nuk ka pasur shkëmbim zjarri.


Protestuesi i identifikuar vetëm si Andrei, tha se ka dërguar familjen e vet në Rusi dhe ka ndër mend të luftojë deri sa qeveria në Kiev të pranojë kërkesat e tyre për referendum.


Një përplasje vijon gjithashtu në qendrën minerare Donetsk, shtëpia e presidentit të rrëzuar Janukoviç, ku disa politikanë pro-rusë kanë hyrë brenda ndërtesës së Parlamentit të rajonit dhe kanë shpallur një republikë separatiste.


Nuk ka shenja që policia po përgatitet për të sulmuar në këto dy qytete. Rusia ka paralajmëruar Kievin kundër përdorimit të forcës, por edhe Kievi ndoshta ka vendosur të mos i japë Moskës një justifikim për të ndërhyrë ushtarakisht, me shpresë se protestat do të vyshken gradualisht.


Rusia ka aktualisht dhjetëra mijë trupa në afërsi të kufirit të Ukrainës dhe ekspertët perëndimorë besojnë se kjo ushtri është në gjendje të pushtojë Ukrainën brenda pak ditëve, nëse merr urdhër për të ndërhyrë. Por disa faktorë i shtyjnë ekspertët të besojnë se Putini nuk do ta përdorë ushtrinë në këtë rast. Në zonën lindore të Ukrainës ka shumë më tepër ukrainas etnikë se sa në Krime, pavarësisht se shumë ukrainas flasin rusisht si gjuhë e parë. Për më tepër, mungesa e një kufiri natyror të këtyre rajoneve me pjesën tjetër të Ukrainës, si në rastin e Krimesë, duket se e bëjnë një operacion ushtarak nga Rusia shumë më të komplikuar dhe të kushtueshëm.


Ky shkrim Ukraina sfidon protestuesit pro-rusë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.