Në Ukrainë, protestat anti-qeveritare vazhduan edhe sot. Mijra njerëz u mblodhën në në sheshin kryesor të kryeqytetit Kiev dhe qindra të tjerë pushtuan ndërtesat qeveritare.


Protestuesit po shprehin zemërim ndaj refuzimit të presidentit Viktor Janukoviç për të nënshkruar një marrëveshje politike dhe ekonomike me Bashkimin Evropian.


Protestuesit ngritën barrikada në rrugët që të çojnë në Sheshin e Pavarësisë në vazhdën e përpjekjeve të tyre për të rrëzuar qeverinë. Disa qindra njerëz kishin qëndruar gjatë natës në tendat e ngritura në shesh.


Qindra të tjerë vazhduan të qëndrojnë të ngujuar brenda bashkisë së Kievit dhe një ndërtese të sindikatave, ku kishin mundur të hyjnë dje.


Njëri prej protestuesve, Valery Danilenko, tha se ata janë të vendosur të qëndrojnë në shesh:


“Erdhëm këtu dhe do të qëndrojmë këtu derisa kabineti të japë dorëheqjen, të shpërndahet parlamenti dhe të jetë larguar edhe presidenti. Ne nuk do të kthehemi në shtëpi. E dimë se ata do të luftojnë deri në fund por ne nuk largohemi.”


Protestuesit bllokuan gjithashtu hyrjet e ndërtesës së Kryeministrisë. Bllokada pason një miting të madh të zhvilluar dje, ku njerëzit shprehën zemërim ndaj refuzimit të presidentit Viktor Yanukovych për të nënshkruar një marrëveshje politike dhe ekonomike me Bashkimin Evropian, dhe ndaj synimit të tij për të forcuar lidhjet me Moskën.


Megjithëse tubimi kryesor i së dielës ishte i qetë, dhuna shpërtheu kur protestuesit u përpoqën të sulmojnë zyrën e zotit Yanukovych.


Pas disa orëve përleshje, policia arriti t’i shpërndajë protestuesit me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.


Javën e kaluar, Presidenti Yanukovych e kundërshtoi nënshkrimin e një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian, duke thënë se Ukraina duhet të vazhdonte lidhjet e saj të ngushta me Rusinë.


Njoftimi shkaktoi reagime në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, ku presidenti pritej ta nënshkruante marrëveshjen të premten.