Një libër i botuar së fundmi me letrat e filozofit Ukshin Hoti për fatin e të cilit nuk dihet tash e 15 vjet, zbulon pikëpamjet e tij mbi religjionin duke e përjashtuar atë si faktor ndikues në ekzistencën e kombit shqiptar. Ato janë përmbledhur në një ese.




Ukshin Hoti po vuante prapa grilave në Dubravë, por kjo i kishte dhënë atij mundësi të analizonte mirë komponentin religjioz sidomos atë islamik, në politikën shqiptare. Gjithçka kishte filluar kur një i dënuar për armë që sipas Hotit nuk dihej në ishte profesor a hoxhë, ia kishte dhënë për lexim historinë dyvëllimëshe për Filozofinë Islame.

AdPlatformZone = {id: "549fcab82",format: "410x0"};


Disa vite më vonë, Hoti bashkë me transferimin në Shtëpinë Ndëshkuese Korrektuese në Nish do të fillonte të shkruante letra që i drejtoheshin kryesisht spektrit diplomatik.




“Argumentimi se Islami e shpëtoi nga tretja kombin shqiptar nuk qëndron”, shkruan Hoti në njërën prej letrave të tij.




Bislim Elshani, që edhe ka shkruar parathënien për esenë e Hotit, tha në promovimin e librit se politologu religjionin e ka parë si një realitet evident që duhet respektuar dhe se pikëpamja e tij ende i hyn në punë diskutimit për identitetin e shqiptarëve.




“Qasja e Ukshin Hotit ndaj besimit dhe religjionit është e distancuar...”, tha Elshani, teksa shtoi se Hoti merret me atë se si shoqëritë primitive thërrasin në ndihmë religjionin, e deri te vlerat laike të qytetërimit që akoma janë të ndikuara nga religjioni.




Promovimi i librit “Çështja Kombëtare Shqiptare – Komponenti Religjioz” është promovuar të hënën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe aty është botuar në pjesë të ndryshme komplet eseja që në kohën kur është shkruar ishte përkthyer dhe botuar në gjuhën angleze. Libri në shqip është botuar nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës.




Hoti donte zotin që flet shqip




E një vit më përpara ngjarjeve të përgjakshme në vendin e tij, Hoti nëpërmjet këtyre librave tentonte të elaboronte rolin e religjionit, duke u nisur edhe nga vetja. Por e cilësonte zotin si një besim spekulativ.




“Do të mbetem i tillë çfarë jam, shqiptar i përkatësisë religjioze islame, me një besim spekulativ, refleksiv, abstrakt, filozofik mbi zotin”, shkruante Hoti.




Tutje filozofi kritikonte politikën e asaj kohe për mungesë të guximit për të hapur temën e religjionit, por sipas tij kjo vinte edhe nga pasoja për t’u përballur njëherë me komunizmin si sistem që nuk njeh religjion. Reflektimi i sistemit të mendimeve religjioze, sipas Hotit nuk mund të luftohet dhe as të pengohet me zhvlerësimin dhe denigrimin e bartësve të tyre.




Ukshin Hoti, në autorësinë e të cilit janë edhe tre libra të tjerë, “Lufta e ftohtë dhe detanti”, “Filozofia politike e çështjes kombëtare” dhe “Bisedë përmes hekurash me Ismail Kadarenë”, edhe ironizon me islamin dhe librin e tyre të shenjt Kur’ani-n, sidomos kur citon autorin kristiano-romak të shekullit II, Tertulianin, apo kërkesën që Allahu të flasë shqip.




“Do të bëhem plotësisht i devotshëm atëherë kur Allahu (xh/h) ose zoti i madhërishëm, pa hile, pa mëdyshje, me sinqeritet dhe respekt të plotë, të fillojë jo vetëm të flasë në gjuhën shqipe por edhe ta trajtojë dhe ta dojë kombin shqiptar”, shkruan Hoti në letrën e VI-të.




Por publikun që kishte stërmbushur sallën e bibliotekës ku promovohej “Komponenti religjioz i çështjes kombëtare” sipas Hotit, e ka “ndezur”, Adem Demaçi.




Shkrimtari që me deklarimet ka ngjallur jo rrallëherë reagime dhe debat, tha se fetë kanë dështuar për shkak të bartësve të saj, tha se shqiptarët një ditë do të “shkojnë tek Ukshin Hoti”, ani pse, sipas tij, Hotin “nuk e kemi kuptuar kur duhej ta kuptonim”. /Gazeta Jeta në Kosovë/