09/07/2009 Del prodhimi vendas
Dalja në treg e produkteve bujqësore vendase dhe ulja e çmimeve të mallrave të importuara kanë bërë që inflacioni të arrijë në nivelin 2,3 për qind në muajin qershor. Sipas Institutit të Statistikave, krahasuar me muajin qershor të një viti më parë rënia është prej 1.7 për qind. Një vit më parë ndryshimi i indeksit të çmimit të konsumit ishte 4 për qind. Mes mallrave që kanë pësuar rënie përfshihen ushqime dhe pije jo alkoolike me 1.7 për qind ulje. Brenda këtij grupi, sipas ekspertëve të INSTAT-it, ulja më e madhe prej 6.1 për qind vërehet te zarzavatet përfshirë patatet. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të patëllxhanëve me 36.9 për qind. Edhe frutat kanë pësuar ulje në çmim si për shembull pjeshkat me 33.4 për qind, qershitë me 36.6 për qind, pjepri me 23.9 për qind, dardhët me 5.9 për qind, shalqiri me 2.6 për qind. Të vetmet mallra që janë rritur janë ato që vijnë nga importi, si veshje dhe këpucë, të cilat shënuan një rritje prej 0.2 për qind. Po kështu rritja e çmimit të karburanteve ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve për transport, prej 1 për qind. Gjatë muajit qershor, sipas INSTAT-it, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 4.2 për qind dhe çmimi i benzinës 7.6 për qind.