Për shkak të thatësirës së muajve të fundit, është ulur ndjeshëm niveli i ujit në Fierzë. Ulja e nivelit të ujit ka detyruar KESH që të nis importin e energjisë, duke ndërprerë në këtë mënyrë prodhimin vendas.
Enti parashikon që për muajt janar-shkurt të importojë 50 % të sasisë së energjisë së kërkuar nga OSHEE për furnizimin me energji të konsumatorëve tarifore. Sipas të dhënave më të fundit, niveli aktual në Fierzë është 276.22 metër, nga 296 që është kuota maksimale. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli në hidrocentralin e Fierzës kapi kuotën e 293 metrave, duke rritur rrezikun e përmbytjeve, shkruan TCh.
Por ato që kanë shënuar nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit, janë prurjet në Fierzë që sipas KESH rezultojnë 130 m3/sek. Ndërsa Fierza ka ndërprerë prodhimin, dy hidrocentralet e tjera, Koman dhe Vau i Dejës punojnë por me kapacitet të reduktuar.
Sipas KESH, niveli në Koman është 171.05 metër ndërsa prurjet 68 m3/sek kurse në Vaun e Dejës, niveli është 73.99 metër ndërsa prurjet 15 m3/sek. Duke qënë se reshjet e muajit janar nuk pritet të kenë intensitet të lartë që mund të rrisin prurjet në nivelet mesatare shumëvjecare, KESH thotë se duhet të ruajë rezervën energjetike për të mos cënuar sigurinë e furnizimit të vendit me energji. Në këto kushte kërkesa e OSHEE prej 880 GË për furnizimin me energji në këto dy muaj do të plotësohet duke reduktuar prodhimin e KESH në rreth 400 GË, 180 GË do të prodhohet nga HEC-et e vegjël ndërsa pjesa tjetër prej 300 GË do të kontrakohet përmes importit.