Rusia ka një javë kohë që të ndryshojë kursin e saj karshi Ukrainës ose të përballet me sanksione të reja të Bashkimit Europian.



Ky është ultimatumi i dhënë nga udhëheqësit e unionit në përfundim të takimit të së shtunës në Bruksel. Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Rompuy tha se Brukseli është duke punuar për masa të tjera kundër Moskës.

“Bashkimi Europian është gati të marrë masat e nevojshme në bazë të rrjedhës së ngjarjeve në terren”, tha Rompuy.

Deklarata e Presidentit të Këshillit ishte në sinkron me ato të UkrainaBE, sanksione të reja ndaj Rusisë
Putin: Ukrainasit si nazistët
Ukraina kërkon NATO-n, Aleanca akuzon Rusinë lëshuara nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Francois Hollande.

Merkel tha se sanksionet e reja do të vendosen në rast se Moska nuk ndryshon qendrimin e saj karshi konfliktit në Ukrainë dhe përjashtoi çdo mundësi zgjidhjeje ushtarake të tij, ndërsa Hollande ngriti pyetjen: "A do ta lëmë situatën të përshkallëzohet deri në një luftë të hapur? Ky është rreziku që na kërcënon sot dhe nuk kemi kohë për të humbur, por duhet të veprojmë”.

Shtetet e Bashkuara mbështetën vendimin e udhëheqësve të Bashkimit Europian. Vetë Uashingtoni ka përshkallëzuar sanksionet ndaj Rusisë. “Mirëpresim konsensusin e Këshillit të Europës që tregon një mbështetje të fortë për sovranitetin e Ukrainës”, deklaroi zëdhënësja e Sigurisë e Shtëpisë së Bardhë, Caitlin Hayden.

Të shtunën Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko deklaroi se vendi i tij ndodhet fare pranë asaj që ai e quajti “një rrugë pa kthim; përballjes ushtarake me Rusinë”.

Duke folur në Bruksel, ku ishte i pranishëm në takimin e udhëheqësve të Bashkimit Europian, që diskutuan e më pas vendosën sanksione shtesë ndaj Rusisë, Poroshenko tha se Ukraina është viktimë e një agresioni dhe terrori të organizuar dhe drejtuar direkt nga Moska.

“Mendoj që jemi shumë pranë rrugës pa kthim. Pika pa kthim do të thotë luftë e përgjithshme. Çdo ofensivë që mund të mbërrinte (nga Rusia) do të ishte një pikë pa kthim, ndaj ne po bëjmë përpjekjet të jashtëzakonshme për ta shmangur këtë”, tha Poroshenko.

Presidenti ukrainas tha se sanksionet e BE-së ndaj Rusisë do të zbatohen në varësi të suksesit që do të ketë plani i paqes i paraqitur prej tij. Ai tha se javën e ardhshme do të propozojë një plan për armëpushimin gjatë takimit të Grupit të Kontaktit në Bjellorusi.

Ky grup përbëhet nga Rusia, Ukraina, Bjellorusia dhe Organizata Europiane e Bashkëpunimit dhe Sigurisë, OSBE.

Të paktën 2600 persona kanë humbur që nga muaji prill kur edhe nisën përleshjet e armatosurave mes forcave qeveritare të Kievit dhe separatistëve pro-rusë në lindje të vendit që pasuan aneksimin e njëanshëm të Krimesë nga ana e Moskës.

/ Top Channel