Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u rreshtua sot përkrah banorëve të Unazës së Re që protestojnë prej ditësh duke kundërshtuar shembjen e banesave të tyre, të cilat preken nga projekti për transformimin e aksit nga Pallati me Shigjeta deri te Sheshi Shqiponja.


Basha tha se është kryer një hetim nga PD për kompanitë që janë kontraktuar për ndërtimin e kësaj pjese të Unazës së Madhe dhe faktet janë tronditëse.


E vetmja gjë e ligjshme që ndodh këtu është protesta e këtyre banorëve. Qëndresa dhe rezistenca e banorëve mbështetet në Kushtetutë dhe gjithçka tjetër dhe është kriminale dhe antiligjore. Pas një hetimi, disa fakte tronditëse kanë dalë në dritë. Së pari, projekti është i paligjshëm pasi vjen nga një propozim i pa kërkuar. Një inxhinieri i ka lindur në zemër të bëjë dhuratë një projekt për këtë pjesë të unazës në shkelje totale të normave të projektimit, i përshtatshëm për autostrada. E dyta, është skema korruptive. 40 mln euro për 2 km me shtatë nënkalime dhe mbikalime. E treta, projekti duhet të miratohet nga pushteti vendor. Në kulmin e kësaj paligjshmërie, bashkia duhet të thoshte nuk do ta pranojë këtë projekt. Ka në krye një fundërrinë, i cili del dhe sulmon qytetarët me shprehje raciste që tregojnë se plehrat e Sharrës janë më të pastra se shpirti i tij, tha Basha.


Kreu i opozitës theksoi se ekziston një VKM që i jep të drejtë banorëve të kërkojnë dëmshpërblim 100% për çdo objekt që do prishet.


Kam në dorë një VKM, që thotë se ata që janë në proces legalizimi shtëpitë e të tyre do të shpërblehen plotësisht me vlerën e tregut, pra precedenti ligjor është i qartë. Paratë duhet të merren pa lëvizur lopata e pare, sqaroi Basha.


I pyetur se çfarë do të bëjë opozita nëse qeveria nuk tërhiqet, Basha kujtoi Teatrin Kombëtar dhe tha se këtu kemi të bëjmë me vijën e dytë të kuqe.


Para disa muajsh më keni pyetur për Teatrin dhe kam thënë që është vija e kuqe. Ashtu si Teatri është vija e kuqe këtu është dy herë vija e kuqe, qytetarëve u lind e drejta që të përballen me çdo formë dhe çdo mjet dhe opozita do jetë në krahun e tyre, theksoi kreu i PD.


14 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)