Punimet për projektin e Unazës së Madhe kanë vijuar me intensitet. Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkisë së Tiranës po punon për prishjen e ndërtimeve pa leje që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe, në segmentin nga mbikalimi te Pallati me Shigjeta deri te Dogana.


Paralelisht, Bashkia e Tiranës ka hequr pemët me gjithë pjesën e rrënjëve dhe i ka transportuar ato me kujdes për ti mbjellë në zonën e Bregut të Lumit.


Paralelisht ka vijuar puna nga DPN2 për heqjen e shtyllave të ndriçimit që ndodhen përgjatë segmentit. Është bërë heqja e plotë e të gjithë shtyllave të energjisë elektrike.


Ndërkohë, përmes një postimi në Twitter, Kryebashkiaku Erion Veliaj ka falenderuar të gjithë ata banorëve të zonës së Astirit që preken nga projekti i zhvillimit të Unazës së Madhe dhe që iu përgjigjën thirrjes së tij për të bashkëpunuar.


Veliaj thekson se kur të shkruhet historia e Tiranës, askush nuk do kujtojë penguesit e vandalët, por do kujtojë të gjithë ata njerëz të mirë që çuan qytetin përpara e i hapën rrugë zhvillimit.


Kur të shkruhet historia e Tiranës, askush nuk do kujtojë penguesit e vandalët, historia ska 1 rresht për këta tipa! Ama do kujtojë ata njerëz të mirë që çuan qytetin përpara e i hapën rrugë zhvillimit. Mirënjohje gjithë familjeve që çdo ditë e më shumë po lejojnë Unazën e Re, thekson Veliaj.


1 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)